Maqedoni, Zaev: Gruevski do të përgjigjet për krimet e bëra

14/08/2015 00:00

Udhëheqësi i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, përmes një interviste të dhënë për mediat maqedonase, ka paralajmëruar se deri në fund të këtij viti, apo pa ardhur Viti i Ri, Nikola Gruevski do të dalë para gjyqit dhe do të përgjigjet për keqpërdorimet e krimet që ka bërë.

Zoran Zaev ka premtuar edhe njëherë se, bisedat e përgjuara telefonike lidhur me rastin “Monstra”, të cilat ai nuk i ka publikuar deri më tani, do t’ia dorëzojë prokurorit special, i cili – sipas Zaevit, -duhet të rivendosë drejtësinë e munguar për të gjithë të dëmtuarit.

“Gjithçka që ndërlidhet me përgjimet dhe që rrjedhin nga ato përgjime janë kompetencë e prokurorit publik. Jo vetëm rasti ‘Puçi’ dhe bisedat për të, por edhe nëse gazetarët, OJQ-të dhe biznesmenët – siç kanë paralajmëruar, – ngrenë procedura penale për ta kërkuar drejtësinë”, ka pohuar Zaev.

Zaev ka thënë se pret një hetim të pavarur nga prokurori special, pa marrë parasysh nëse ai vetë apo Gruevski janë fajtorë, gjë për të cilën secili duhet të përgjigjet.

Prokurori special do të zgjidhet më 15 shtator, me pajtueshmërinë e 4 partive më të mëdha parlamentare, të cilat arritën marrëveshjen për daljen e Maqedonisë nga kriza politike.

Top Channel