F1 rinis nga Belgjika, Rosberg: Sfidë e ndezur me Hamiltonin

14/08/2015 00:00

Botërori i Formula 1 rikthehet më 21 gusht me Çmimin e Madh të Belgjikës, në Spa Francorchamps, dhe risitë nuk mungojnë.

Duke filluar që nga kjo garë e parë pas pushimeve verore, pilotët nuk do të marrin më informacione nga bokset e skuderive të tyre, përveç rasteve kur bëhet fjalë për sigurinë në pistë.

Piloti gjerman i Mercedesit, Nico Rosberg shpreson ta shfrytëzojë sa më mirë këtë ndryshim për të mposhtur shokun e tij të skuadrës, britanikun Lewis Hamilton.

“Kjo risi më pëlqen, sepse do të më japë mundësinë të mposht Lewis Hamiltonin menjëherë”, tha ai, në një intervistë për ESPN. Sipas Rosberg, deri tani një gjë e tillë ishte e vështirë, pasi piloti nuk ishte shumë i lirë për të vepruar.

Një tjetër ndryshim, që është vendosur të bëhet duke filluar nga gara në Spa Francorchamps, ka të bëjë me freksionin e makinës. Pika e shkëputjes së saj duhet të mbetet e njëjtë, si në momentin e parë, ashtu edhe kur ai është plotësisht në pistë.

“Bëhet fjalë për një ndryshim të rëndësishëm, ndaj mendoj se do të jetë diçka interesante. Do të jetë e lehtë për t’u bërë, por e vështirë të realizohet në perfeksion. Duhet të jemi sa më reagues, sepse çështja e freksionit nuk është më idealja. Do të jetë mjaft e vështirë, por kjo do ta bëjë këtë sfidë edhe më të ndezur”, ka shtuar Rosberg.

Top Channel