Zyrtari francez: Pas trafikut të emigrantëve qëndron mafia angleze

14/08/2015 00:00

Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar në vitet e fundit, herë me të drejtë e herë jo, e kanë drejtuar gishtin tek grupet kriminale të huaja, duke u atribuar atyre përgjegjësitë për aktivitetet kriminale, të organizuara ose jo, që zhvillohen në territorin britanik.

Por këtë të premte, një lajm i publikuar në një nga mediat më prestigjoze të vendit tregon një realitet, në mos tërësisht, pjesërisht ndryshe nga ai i paraqitur nga autoritetet.

Kryetari i bashkisë së një lokaliteti verior francez ka deklaruar se trafikantët britanikë janë përfshirë thellë në lëvizjen ilegale të emigrantëve nga Franca në Britani.

Kryebashkiaku i Teteghemit, Franck Dhersin ka deklaruar se automjete me dokumente angleze, të drejtuara nga eksponentë të asaj që ai e ka quajtur “mafia angleze”, shihen shpesh në zonën kufitare mes dy vendeve.

“Njerëzit në Britani, që ankohen për emigrantët që përpiqen të arrijnë vendin, nuk e kuptojnë që makinat janë angleze dhe pronarët e tyre anglezë”, ka thënë Dhersin.

Zyrtari ka nënvizuar se trafikantët janë “shumë të dhunshëm” dhe se synimi i vetëm i tyre është “si të bëjnë para me anë të emigrantëve”. “Trafikantët britanikë operojnë prej vitesh në këtë zonë, por kurrë më parë nuk kanë qenë kaq të organizuar”, ka vijuar Dhersin.

Ditë e martë ai vizitoi personalisht kampin e refugjatëve në Teteghem, pavarësisht rreziqeve që paraqiten atje. “Doja të tregoja se një kryetar bashkie francez mund të shkojë ku të dojë”, ka thënë ai.

Edhe një emigrant sirian që ka folur për BBC-në në kushte anonimati ka deklaruar se, u kishte paguar trafikantëve 15 mijë stërlina për të arritur Mbretërinë e Bashkuar nga vendi i tij dhe se shumica e tyre ishin britanikë.

Emigranti ka sqaruar se, 12 mijë stërlina i kishte paguar për të shkuar nga Siria në Francë dhe 3 mijë për të kaluar më pas në Britani përmes kanalit të La Manshit. Ai ka thënë se, emigrantët kërcënoheshin egërsisht nëse nuk u bindeshin urdhërave.

“Kisha shumë frikë, ata ishin të armatosur. I vendosën pistoletën në kokë njërit prej nesh dhe i thanë, ‘po lëvize, të vrava’”, ka treguar refugjati.

BBC, që ka bërë një vëzhgim të situatës, raporton në edicionin online se ka konstatuar makina me targa britanike në një kamp refugjatësh në rrethinat e lokalitetit Dankirk.

Sipas rrjetit informativ britanik, taktikat e emigrantëve në këtë zonë janë ndryshe nga ato të emigrantëve në Kalais, që përpiqen të kapen pas kamionëve apo të kalojnë telat me gjemba.

Pasi merren në automjete me targa britanike, ata çohen në disa lokalitete prej nga mund të hipin më lehtë nëpër kamionë dhe të arrijnë “tokën e premtuar”.

Top Channel