“Montreal Masters”, të mëdhenjtë janë në çerekfinale

14/08/2015 00:00

Emrat e mëdhenj të tenisit botëror janë kualifikuar për në çerekfinalet e turneut “Masters” të Montrealit.

Spanjolli Rafael Nadal mundi në raundin e tretë të këtij aktiviteti rusin Mikhail Youzhny, me rezultatin 2-0. Nadal, 3 herë fitues i turneut të Montrealit, ishte dominues ndaj kundërshtarit të tij dhe i fitoi setet 6-3; 6-3 në 1 orë e 41 minuta lojë. Kundërshtari i radhës për 29-vjeçarin do të jetë Kei Nishikori, i cili mundi David Goffin.

Një vend në çerekfinale siguroi edhe John Isner, që mundi Nick Kyrgios, teksa ky i fundit, australian, u vu në qendër të kritikave për deklaratat e tij fyese ndaj Stanislas Wawrinka, për t’u detyruar më pas të kërkojë falje dhe të paguajë një gjobë prej 10 mijë dollarësh. Isner e fitoi ndeshjen në dy sete 7-5; 6-3.

Novak Djokoviç dhe Andy Murray i patën shumë të lehta ndeshjet e tyre të raundit të tretë. Numrit 1 të renditjes botërore, Djokoviç iu deshën vetëm 54 minuta kohë në dispozicion, për të mbyllur llogaritë me Jack Sock, të cilin e mundi në dy sete, 6-2 dhe 6-1, duke shënuar fitoren e 28 radhazi në turnetë “Masters”.

E njëjta histori edhe për Andy Murray, i cili u kualifikua në çerekfinale pasi mundi Gilles Muller në dy sete, 6-3 dhe 6-2, në vetëm 65 minuta lojë.

Top Channel