Kosovë, VV: Do të jemi radikalë, nëse miratohet Asociacioni i Komunave Serbe

14/08/2015 00:00

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar veprime radikale kundër nënshkrimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe, mes Kosovës dhe Serbisë.

Nënkryetari i parë i kësaj lëvizjeje, Driton Çaushi, në një konferencë për media tha se, pala kosovare ka lëshuar vazhdimisht pè gjatë negociatave me Serbinë dhe – sipas tij, – diçka e ngjashme mund të ndodhë edhe në fund të këtij muaji, kur pritet nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje.

“Do të jemi radikalë në kundërshtimin e kësaj marrëveshjeje për Asociacionin e Komunave Serbe, për shkak se mendojmë që kemi ardhur në një moment të tillë, ku nëse një gjë e tillë realizohet dhe miratohet, atëherë është vështirë të imagjinohet një moment më i dëmshëm për shtetësinë e Kosovës, që nga shpallja e Pavarësisë së saj. Pra, po shkojmë drejt defunksionalizimit të shtetit të Kosovës, me shndërrimin në një shtet me ndarje etnike, jo funksional dhe pa perspektivë”, tha Driton Çaushi, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa, lidhur me marrëveshjen për lëvizjen e lirë, e cila është arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, Çaushi tha se kryeministri Isa Mustafa po ndjek të njëjtën rrugë sikurse paraardhësi i tij, Hashim Thaçi.

“Ajo quhet marrëveshje për lëvizjen e lirë, mirëpo për nga përmbajtja mund të konkludojmë që nuk ka të bëjë me një gjë të tillë, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës, përveç se nënçmohen gjatë kalimit në kufirin me Serbinë, keqtrajtimi i tyre vazhdon edhe me dëmin financiar që u shkaktohet duke paguar taksa tepër të padrejta, si në formën e taksës prej 40 eurosh dhe taksës tjetër që paguhet për ndërrimin e tabelave”, tha më tej Driton Çaushi.

Çaushi shtoi se, me ndërrimin e targave, qytetarët e Kosovës detyrohen të fshehin identitetin e tyre, gjë kjo që – sipas tij, – paraqet edhe një formë të nënçmimit për shtetasit kosovarë.

Top Channel