Kubë, flamuri amerikan ngrihet në Havana pas 54 vjetësh

14/08/2015 00:00

Në kryeqytetin e Kubës, Havana, ka nisur ceremonia e rihapjes së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, 54 vjet që nga mbyllja e saj.

John Kerry, i pranishëm në këtë ceremoni, është bërë sekretari i parë i Shtetit që viziton vendin latin pas 70 vjetësh.

“Shtetet e Bashkuara dhe Kuba nuk janë të burgosur të historisë. Presidentët Raul Castro dhe Barack Obama kanë marrë vendime të guximshme. Sot është dita që të lëmë pas barrierat e së shkuarës”, ka thënë Kerry.

Tre marinsa amerikanë, të cilët ulën flamurin amerikan nga selia diplomatike më 4 janar 1961, këtë të premte e kanë ngritur sërish atë në ceremoninë e mbajtur në Havana.

Aktualisht tre marinsat janë pranë të 80-ave. “Më pëlqeu shumë kur pash flamurin të ngrihej sërish”, është shprehur njëri prej tyre, Jim Tracey, 78 vjeç.

Qytetarë të shumtë kubanezë janë mbledhur për të ndjekur nga afër mbajtjen e ceremonisë, disa duke mbajtur në duar flamurin kubanez, ndërsa të tjerë atë me viza dhe yje.

Presidentët Obama dhe Castro ranë dakord për rivendosjen e marrëdhënieve mes dy vendeve në dhjetor të vitit të kaluar. Ndërsa muajin e kaluar, në Uashington u hap Ambasada e Kubës.

Vizita e Kerry në Havana përkon edhe me 89-vjetorin e liderit historik kubanez, Fidel Castro, i cili përmes një artikulli të publikuar të enjten i dha mesazhin e vet Amerikës, pa bërë lojra fjalësh.

“Na detyroheni shumë miliona dollarë për shkak të dëmeve që i janë shkaktuar Kubës nga politikat amerikane. Kjo është denoncuar edhe në OKB nga ishulli, me argumente dhe të dhëna të pakontestueshme”, shprehej Castro në artikullin e tij.

Ai theksoi se, “kubanezët nuk do të rreshtin së luftuari për paqe dhe mirëqënie, ashtu sikurse është në të drejtën e të gjithëve që të kenë ose jo një besim fetar”. 

Top Channel