Pavarësisht mohimeve të Ahmetit, brenda BDI-së ka përçarje

14/08/2015 00:00

Hazbi Lika, njëri nga bashkëpunëtorët e deritanishëm të udhëheqësit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka shprehur publikisht pakënaqësinë rreth mënyrës së funksionimit të partisë shqiptare në pushtet.

Në një intervistë për të përditshmen maqedonase “Dnevnik”, Lika ka deklaruar se partia shqiptare në Qeverinë e Shkupit, BDI nuk është duke funksionuar ashtu siç duhet, pasi është distancuar nga parimet themelore, për të cilat luftoi UÇK-ja në Maqedoni.

Për këtë situatë, ai fajëson drejtpërdrejt kreun e partisë, Ali Ahmeti.

Ish-komandanti i UÇK-së, Hazbi Lika ka hedhur poshtë zërat se do të braktisë BDI-në në shtator dhe do të formojë një parti të re, por ka paralajmëruar se do t’i hap luftë brenda partisë Ahmetit, për të rikthyer në agjendën partiake idealet e vitit 2001 dhe për të përshpejtuar procesin e avancimit të pozitës së shqiptarëve, që – sipas tij, – po realizohet shumë ngadalë.

Përplasjet dhe pakënaqësitë brenda partisë së tij, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, një ditë më parë i ka cilësuar si pjesë e debatit demokratik brenda këtij subjekti, si dhe ka thënë se nuk bëhet fjalë për përçarje.

“Nuk ka përçarje në BDI, iua them shumë sinqerisht. Në BDI ka debat, transparencë, por përçarje nuk ka. Të gjithë i kam shokë dhe miq, njerëzit që jetojnë në një shtëpi kanë edhe përplasje. Këtë gjë e kam lejuar unë, që në BDI të mos ketë arbitraritet, por fjala e lirë të thuhet ashtu siç mendohet. Por, në fund, të gjithë të respektojnë vendimet e shumicës nëpër organet drejtuese”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Pakënaqësitë e shumta brenda BDI-së kanë filluar të manifestohen për shkak të pozitës së pafavorshme të partisë shqiptare në Qeverinë e Gruevskit dhe për shkak të incidenteve të fundit brenda subjektit në fjalë. Një burim pranë BDI-së thotë se, nga shtatori pritet të shtohen zërat brenda partisë, që do të kërkojnë largimin e Ali Ahmetit nga drejtimi i saj.

Top Channel