Mustafa viziton Drenasin, Skënderajn e Mitrovicën: Dua të vizitoj edhe komunat veriore

14/08/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa premtoi përkrahje për komunat e rajonit të Drenicës, Drenasin dhe Skënderajn, por edhe për Mitrovicën. Ai zhvilloi këtë të premte vizita të veçanta në këto tri komuna, ku u prit nga autoritetet komunale.

Sipas Mustafës, pushteti lokal ka qenë deri më tani shumë i kufizuar në pikëpamjet e politikave të zhvillimit ekonomik, ndërsa shprehu interesim, që të kombinohet fushëveprimi i pushtetit lokal me atë ekonomik.

Kreu i Qeverisë së Kosovës premtoi zgjerimin e parkut të biznesit dhe parkut industrial, që funksionojnë aktualisht në këtë komunë. Në Skënderaj, Mustafa u prit nga nënkryetari Fadil Nura, pasi ndaj kryetarit Sami Lushtaku është dhënë vendimi i Shkallës së Parë për akuzat për krime lufte.

Nënkryetari i Skënderajt falënderoi Mustafën për vizitën, në emër të kryetarit Sami Lushtaku, duke bërë të ditur se, biseda me kryeministrin ishte e fokusuar në investimet e përbashkëta kapitale.

Po këtë të premte, kryeministri vizitoi edhe komunën e Mitrovicës. Pas takimit me kryetarin Agim Bahtiri, Mustafa, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve tha se, është i interesuar t’i vizitojë edhe komunat veriore, por këtë do ta bëjë sapo të bjerë dakord me kryetarët e këtyre komunave.

“Kam shprehur interesimin që të vizitoj Leposaviçin, Mitrovicën Veriore, Zubinpotokun dhe Zveçanin. Do ta bëj një vizitë të tilë, sapo të merrem vesh me kryetarët e këtyre komunave. Nuk kemi ndonjë agjendë të caktuar, por mendoj se marrëdhëniet janë relaksuar mjaftueshëm saqë vizita të tilla të mund të bëhen”, tha kryeministri Isa Mustafa, nga Mitrovica.

Top Channel