Bozdo akuzon Veliaj: Mashtron opinionin publik për investimet

14/08/2015 00:00

Ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo ka akuzuar kryetarin e ri Erjon Veliaj se fsheh të vërtetën sa i takon investimeve për kopshtet dhe çerdhet në kryeqytet.

“Nënkryetari i Bashkisë, Veliaj, bëri sot një ekskursion mediatik tek çerdhja numër 54 në Tiranë. Ai u habit dhe u trishtua pa masë kur “zbuloi” gjendjen e mjerueshme të kësaj çerdheje, por “harroi” si gjithmonë të tregontë të vërtetën mbrapa kësaj historie “deja vue” në Tiranë në dy vitet e fundit: të thoshte se projekti i kësaj çerdheje dhe financimi i tij janë gati prej 3 muajsh”, ka thënë Bozdo në një deklaratë për shtyp.

Sipas tij, “Veliaj “harroi” të kërkonte ndjesë për bllokimin dyvjeçar që kryebashkiaku i vërtetë i Tiranës, Edi Rama, i bëri buxhetit dhe për rrjedhojë financimit të kësaj çerdheje dhe shumë të tjerave”.

“Veliaj “harroi’ të përmendte edhe faktin se në 4 vitet e fundit, në Tiranë janë ndërtuar çerdhe dhe kopshte më shumë se në 11 vitet e Edi Ramës”, ka theksuar Bozdo.

E vetmja gjë të cilën Veliaj nuk harroi të bënte, ka shtuar ish-nënkryetari i bashkisë, “ishte të gënjente përsëri opinionin publik”.

Top Channel