Shpërthimi në Mjekës dëmton banesat; banorët kërkojnë dëmshpërblim

14/08/2015 00:00

Shpërthimet nga demontimi i armëve dhe predhave në Uzinën e Mjekësit në Elbasan paraditen e së premtes kanë shkaktuar dëme të mëdha në zonën e banuar përreth.

Për shkak të një shpërthimi shumë të fortë në lumin Shkumbin, pranë Xibrakës, shumë banesa dhe biznese kanë pësuar dëme. Dritaret dhe dyret e tyre janë shkatëruar, çatitë po ashtu, ndërsa ka edhe plasaritje muresh.

“Ishte një shpërthim i fuqishëm, si një tërmet. Ndodhi edhe vitin e kaluar dhe i rregulluam shtëpitë në mënyrë private. Sot, siç e shini, janë dëmtuar sërish”, thotë një banor.

“Është bërë një dëm shumë i madh. Janë çarë muret e shtëpisë, jam shumë i shqetësuar”, shprehet një tjetër.

Emergjencat Civile kanë kontrolluar zonën për dëmet. “Shpërthimi ka ndodhur si rezultat i demontimit të municioneve. Për pasojë kemi disa dëme në biznese dhe shtëpi. Kemi kontaktuar me autoritetet lokale dhe kemi ngritur një komision për vlerësimin e dëmeve që do të vendosë për dëmshpërblimin e banorëve”, ka deklaruar një zyrtar i EC.

Në këtë zonë ndodhen poligone që bëjnë asgjësimin me shpërthime apo me zjarr të armatimeve të vjetra. 

Top Channel