Presidencialet në SHBA, edhe Al Gore në garë mes demokratëve?

14/08/2015 00:00

Zëra të brendshëm të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara janë duke diskutuar mbi mundësitë reale të ish-zëvendëspresidentit Al Gore, për të kandiduar sërish në Presidencialet e 2016-s, por shtojnë se politikani që fitoi mbështetje popullore në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000 nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret drejt futjes në garën aktuale.

“Ata janë duke shqyrtuar nëse ekziston ndonjë rrugë e mundshme, qoftë financiarisht ashtu dhe politikisht”, tha një demokrat në kushtet e anonimatit për “BuzzFeed”, referuar zërave të brendshëm në parti, i cili shton se “tashmë duket si një ide më reale nga ç’ka qenë në muajt e kaluar”.

Al Gore, 67 vjeç, ka qenë kandidat i demokratëve në zgjedhjet e vitit 200, kur Gjykata Supreme amerikane nuk lejoi rinumërimin e votave në Florida, gjë që çoi në zyrtarizimin e republikanit George W. Bush si Presidenti i 43-të i Shteteve të Bashkuara, i cili qëndroi në atë post për dy mandate.

Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, vazhdon të dominojë kandidatët e paktë të demokratëve, të cilët synojnë të fitojnë nominimin e partisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Kur ajo garoi në vitin 2008, Gore, i cili ka shërbyer edhe si zëvendëspresident gjatë kohës së drejtimit të ish-Presidentit Bill Clinton, refuzoi ta mbështeste bashkëshorten e këtij të fundit.

Zëvendëspresidenti aktual i SHBA-ve, Joe Biden, duket shumë pranë vendimmarrjes për të sfiduar Clintonin, sa u përket demokratëve, ndërkohë që burimet e medias amerikane BuzzFeed kanë paralajmëruar gjithashtu që të mos teprohet me interesimin e mundshëm të Gore. Kjo, për shkak se deri më tani, ai nuk bërë asnjë lëvizje formale apo informale për t’iu bashkuar garës, teksa nuk është takuar as me këshilltarë politikë në lidhje me një kandidim të mundshëm, ndaj dhe pavarësisht se mediat mund të jenë të interesuara, ai mund të mos japë asnjë koment në lidhje me këtë çështje.

Al Gore është aktualisht një aktivist për çështjet e mjedisit, si dhe i vlerësuar me Çmim Nobel për Paqen, ndërkohë që është edhe themelues i televizionit “Current TV”.

Top Channel