Britani, kritika të ashpra paparacëve për taktika “të rrezikshme”

14/08/2015 00:00

Pallati Mbretëror i Kensingtonit ka akuzuar paparacët se po tentojnë të ngacmojnë Princin George duke përdorur taktika “gjithnjë e më të rrezikshme” për të siguruar qoftë edhe një foto të vogëlushit, pasardhës të fronit mbretëror.

Në një letër të hapur të pazakontë dhe me fjalë tepër të forta, Jason Knauf, sekretar për komunikimin i Dukës dhe Dukeshës së Kembrixhit, tha se taktikat e përdorura nga disa fotografë janë duke krijuar “një rrezik tepër real sigurue”.

Duke detajuar një sërë ngjarjesh të ndodhura së fundi duke shkelur privatësinë e familjes, ai tha se fotografët janë zbuluar së fundi të fshehur pas rrotave të makinave, pas dunave të rërës e taktika të tjera, vetëm e vetëm për të zënë në befasi çiftin e familjes mbretërore. Madje, ai pretendoi se paparacët janë duke përdorur edhe fëmijë të vegjël, si “karrem” për të tërhequr vëmendjen e Princit George, teksa ky i fundit del të luajë në kopshtin e Pallatit Mbretëror.

Knauf tha se 2-vjeçari, i cili është i treti në radhë për Fronin e Mbretërisë së Bashkuar, është bërë “objektivi numër 1” i disa fotografëve të paskrupujt. Dhe, teksa falënderon organizatat mediatike britanike që kanë refuzuar të publikojnë foto të paautorizuara të Princit dhe motrës së tij tremuajshe, Princeshës Charlotte, ai ka paralajmëruar se “ende një sërë mediash ndërkombëtare janë të gatshëm të paguajnë paparacët për ato foto”.

FOTO GALERI
1/1
Princi George 2 vjeç, dhe motra e tij tremuajshe, Princesha Charlotte

Top Channel