Zv.kryeministri Stojanoviç, në protestë me serbët e veriut

14/08/2015 00:00

Zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Branimir Stojanoviç i është bashkuar protestës së serbëve të veriut kundër EULEX-it dhe për lirimin e politikanit serb Oliver Ivanoviç nga paraburgimi.

Ivanoviç akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare gjatë luftës në Kosovë. Protestuesit kërkuan edhe lirimin e të akuzuarit tjetër Dragolub Delibashiç, mbi të cilin rëndojnë akuza po për krime lufte ndaj shqiptarëve.

Në fjalën e tij para protestuesve, zyrtari i qeverisë së Kosovës porositi Ivanoviç që të kujdeset për shëndetin e tij, pasi, siç tha ai, kjo nuk do të jetë beteja e fundit për të ruajtur popullatën serbe në këto hapësira.

“Me këtë padrejtësi, vetëm sa na bëjnë më të bashkuar dhe më të fortë. Asnjëherë s’kemi bërë presion ndaj drejtësisë dhe këtë nuk po e bëjmë as sot, por të mos mendojë njeri se ne kemi rënë nga dardha dhe nuk dimë ç’është drejtësia dhe se si gjykatat duhet të funksionojnë. Asnjë serb në Kosovë nuk do të jetë vetëm, kështu që as Oliveri dhe familja e tij sot nuk janë vetëm. Ndërsa ata të cilët vendosin për këtë duhet të mendojnë mirë çfarë janë duke bërë”, tha Stojanoviç.

Këtë herë protesta u zhvillua pranë objektit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ku dhe zhvillohet procesi gjyqësor ndaj Ivanoviç. Përveç qytetarëve në këtë protestë, e dyta e kësja natyre, morën pjesë edhe drejtuesit e pushtetit lokal në komunat veriore.

Protestuesit akuzuan misionin për sundimin e ligjit për padrejtësi në këtë rast, ndërsa u shfaqën edhe mendime se Ivanoviç duhet të gjykohet nga gjykatat e Serbisë.

Ditë më parë trupi gjykues vendosi për vazhdimin e masës së paraburgimit për politikanin serb edhe për gjashtë muaj të tjerë. Në sqarimin e EULEX-it për këtë vendim thuhet se, i pandehuri nuk është lënë të mbrohet në liri për shkak të rrezikut nga arratisja dhe influencimi i dëshmitarëve.

Top Channel