“Grupi i Drenicës”, EULEX kërkon ashpërsim të dënimeve

14/08/2015 00:00

Prokurorët e EULEX-it kanë kërkuar dënime edhe më të rënda ndaj “Grupit të Drenicës”, të cilët fillimisht janë dënuar me 65 vite burgim, mbi akuzat për krime lufte.

Avokati Tomë Gashi ka thënë se, prokurori i kësaj çështjeje ka bërë një kërkesë në gjykatë, me anë të së cilës ka kërkuar që dënimet ndaj 11 të dënuarve të bëhen edhe më të rënda. Ndaj këtij veprimi ka reaguar Gashi, duke bërë edhe ky i fundit një ankesë kundër kërkesës së Prokurorisë.

“Kërkesa është paraqitur kundër të gjithë komandantëve dhe ushtarëve të UÇK-së në çështjen Drenica, duke përfshirë edhe komandantin e Shtabit të Përgjithshëm, Sylejman Selimi, dhe komandantin e zonës operative të Drenicës, Sami Lushtaku”, ka shkruar avokati Gashi në profilin e tij në Facebook.

Sipas Gashit, prokurori ka kërkuar nga Gjykata e Apelit, që të shpallet fajtor i gjithë “Grupi Drenica”, madje edhe për veprat penale, për të cilat Gjykata e EULEX-it në Mitrovicë i ka shpallur të pafajshëm ata, më 27 maj 2015.

Prokurori i EULEX-it ka kërkuar gjithashtu, që të bëhet rikualifikimi juridik i veprës penale për Sami Lushtakun dhe që vepra, për të cilën ai është shpallur fajtor, të mos trajtohet si vrasje, por si krim lufte dhe Gjykata e Apelit t’i shqiptojë atij dënim edhe më të rëndë, ka bërë të ditur avokati mbrojtës Tomë Gashi.

Sipas ekipit mbrojtës të Sylejman Selimit, me paraqitjen e kësaj kërkese, qëllimi i prokurorit mund të jetë manipulimi i bindjeve të qytetarëve të Kosovës, sikur të akuzuarit Selimi, Lushtaku dhe të tjerët kanë kryer vepra të rënda penale gjatë periudhës së luftës.

“Mbrojtja e Sylejman Selimit do të paraqesë një kundërpërgjigje ndaj kërkesës së prokurorit, duke kërkuar që Gjykata e Apelit ta refuzojë atë dhe të miratojë ankesën e avokatëve të Sylejman Selimit dhe avokatëve të tjerë në çështjen ‘Drenica’. Mbrojtja e tij konsideron se, ky rast është krejtësisht me ndikime politike”, ka shkruar më tej Gashi, në Facebook.

Top Channel