Lufta II Botërore, Abe kërkon falje për krimet e Japonisë

14/08/2015 00:00

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe ka shprehur “hidhërimin e thellë” për rolin e vendit të tij në aksionet ushtarake të Luftës së Dytë Botërore.

Në një deklaratë në kuadër të 70-vjetorit të dorëzimit të Japonisë, Abe kërkoi ndjesë dhe shprehu pendesë për veprimet e bëra nga parardhësit e vjetër të tij, por nuk kërkoi falje në emër të tij.

“Brezat e ardhshëm nuk duhet të jenë të paracaktuar për të kërkuar falje”, tha ai.

Nga ana tjetër, Kina dhe Korea e Jugut u përgjigjën duke thënë se kërkonin një deklaratë më të “sinqertë” nga Tokio.

Këto dy vende vuajtën jashtëzakonisht pushtimin japonez dhe pretendojnë se Japonia kurrë nuk e ka shlyer tërësisht fajin për veprimet e saj.

Zoti Abe tha mes të tjerash se, Japonia kishte shkaktuar dëme dhe vuajtje të jashtëzakonshme njerëzve të pafajshëm gjatë luftës.

“Japonia vazhdimisht ka shprehur ndjenjën e thellë të pendesës dhe ndjesës për veprimet e saj dhe ky pozicion, i artikuluar edhe nga qeveritë e mëparshme, do të mbetet i palëvizshëm”, tha kryeministri.

Por ai theksoi se, brezat e pasluftës në Japoni, që sot përbëjnë 80 për qind të popullsisë, “nuk kishin asnjë lidhje me atë që ndodhi.

“Megjithatë, Japonia duhet ende ta shohë historinë e së kaluarës në 360 gradë”, shtoi Abe.

Top Channel