Greqia, Eurozona nis zyrtarisht programin e tretë të shpëtimit

14/08/2015 00:00

Ministrat e Financave të Eurozonës arritën një marrëveshje këtë të premte, për të nisur kështu programin e tretë të ndihmës së shpëtimit për Greqinë, një lajm i konfirmuar nga ministri belg i Financave, Johan van Overtveldt, pas takimit të Eurogrupit në Bruksel.

Van Overtfeldt nuk dha detaje të imtësishme, por theksoi se ai dhe homologët e tij nga vendet e Eurozonës kanë rënë dakord mbi Memorandumin e Mirëkuptimit, të hartuar gjatë së martës nga negociatorët e institucioneve ndërkombëtare, që do të mundësojnë huanë ndaj Athinës, “por me disa masa shtesë”.

Takimi i kryefinancierëve të Eurogrupit përfundoi pas 6 orësh bisedime, që nisën pasi Parlamenti grek miratoi kushtet bazë të masave shtrënguese si parakusht për mundësimin e huasë prej 85 miliardë eurosh.

Më herët, në nisje të takimit, ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble, prej kohësh skeptiku më i fuqishëm në lidhje me dhënien e një huaje të tretë Greqisë në mënyrë që ta mbajnë atë brenda zonës së monedhës së përbashkët të BE-së, shprehu këtë radhë optimizëm në një takim, i cili ashtu siç pritej, përfundoi me një akord që do t’i mundësojë Athinës fondet e nevojshme për të përmbushur shlyerjen e këstit të radhës ndaj BQE-së, javën e ardhshme.

Gjithsesi, disa çështje u deshën sheshuar ende pas asaj marrëveshjeje të arritur gjatë së martës mes negociatorëve të Komisionit Europian, Bankës Qendrore Europiane, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe mekanizmit ECM. Mes tyre ishin: mënyra sesi do të mbetet FMN-ja në mbikëqyrje të zbatimit të programit të tretë të Eurozonës, ndërkohë që do të duhet të shtyhen thirrjet e FMN-së për lehtësim borxhi ndaj Greqisë, deri sa të bëhet rishikimi i muajit tetor.

“Jam thuajse besimplotë se mund të arrijmë një marrëveshje brenda ditës së sotme”, tha Schaeuble për reporterët në Bruksel para arritjes së akordit. “Duhet të shohim vetëm sesi të sigurojmë një angazhim të qartë, ndoshta detyrues, të FMN-së. Ky është një parakusht për ne, por gjithnjë e kemi thënë se ishte edhe kusht i realizueshëm. FMN-ja ka rregullat e veta, por ne duhet ta gjejmë një mënyrë”.

Pasi debatoi gjatë gjithë natës, Parlamenti grek votoi në mbështetje të kryeministrit Alexis Tsipras, edhe pse atij iu desh të mbështetej fuqishëm në votat e opozitës, pasi gjatë këtij votimi rreth 1/3-ta e mbështetësve të tij u rebeluan, duke e detyruar atë të marrë në konsideratë një votëbesim, ose në të kundërt vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Top Channel