Një anije pasagjerësh është ankoruar në ishullin grek Kos, për t’u përdorur si një qendër regjistrimi dhe akomodimi për emigrantët dhe refugjatët.

Anija mund të sigurojë strehim të përkohshëm për rreth 2.500 persona.

Autoritetet greke shpresojnë se kjo mënyrë do t’i ndihmojë të përballen me fluksin e emigrantëve, shumica e të cilëve refugjatë sirianë, që kanë mbërritur në ishull.

Duke qenë se më herët gjatë javës u verifikuan përleshje teksa policia përpiqej të mbante refugjatët brenda një stadiumi futbolli, këtë herë janë dërguar më shumë forca policore për të menaxhuar procesin.

Sipas mediave ndërkombëtare, autoritetet greke e konsiderojnë anijen si një zyrë pritjeje, por kritikët e krahasojnë më tepër me një qendër burgimi.

“Eleftherios Venizelos” do të jetë vendi ku emigrantët mund të aplikojnë për dokumentacionet që do t’u duhen për të udhëtuar në vendet e tjera të Evropës.

Mijëra emigrantë kanë mbërritur këtë vit në Kos, një ishull me një popullsi prej 33 mijë banorë. Komisioneri i BE për Emigracionin, Dimitris Avramopoulos deklaroi të premten se bota po përballet me “krizën më të rëndë të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Ai njoftoi se Greqisë do t’i jepet shumë shpejt ndihma e parë prej 30 milionë eurosh nga fondet e BE për të ndihmuar vendet që po përballen me këtë krizë.

Top Channel