Durrës-Shantou, marrëveshje bashkëpunimi mes dy qyteteve

14/08/2015 00:00

Qyteti i Durrësit ka nënshkruar këtë të premte një memorandum bashkëpunimi me qytetin kinez Shantou, që nxit shkëmbimet mes qeverive vendore dhe popullsisë së dy qyteteve.

Memorandumi u nënshkrua në Bashkinë e Durrësit nga kryetari Vangjush Dako dhe homologu i Shantout, Zheng Renhao, që ka mbërritur në vendin tonë në krye të një delegacioni, në përbërje të të cilit janë zyrtarë të lartë dhe një grup biznesmenësh kinezë.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje pritet të nisin shkëmbime reciproke eksperiencash në fushat e ekonomisë dhe tregtisë, shkencës dhe teknologjisë, shëndetësisë, arsimit, kulturës dhe turizmit.

Në ceremoni mori pjesë dhe ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, Jiang Yu. Gjatë takimit u diskutua mbi mundësitë konkrete që ofron Durrësi për nxitjen e investimeve kineze dhe sektorët ku mund të zhvillohen këto investime.

Shantou është një nga 5 zonat speciale ekonomike të Kinës, një qytet-port i rëndësishëm, me një popullsi prej 5.5 milionë banorë.

Ai është gjithashtu një nga bazat më të mëdha të prodhimit të veshmbathjeve, lojrave, kozmetikës, prodhimeve artizanale, si dhe makinerive paketuese.

Top Channel