Korça për të nëntin vit është kthyer në një destinacion turistik ku në mesin e muajit gusht eventi veror sjell qytetarë nga e gjithë Shqipëria por edhe jashtë saj, të cilët festojnë deri në orët e para të mëngjesit në Festën e Birrës.

Festa është konceptuar si pjesë e një programi me aktivitete verore të cilat synojnë të zhvillojnë turizmin në qytetin juglindor, por qytetarët shumë shpejt e përqafuan atë duke bërë që ajo të kthehet në një prej festave më të dashura për ta.

Vit pas viti ajo ka arritur të qëndrojë në krye të top-listës së aktiviteteve verore në vend, çka i ka dhënë më tepër emër edhe përtej kufijve.

“Ndihemi jashtëzakonisht mirë. Korça ka një kulturë shumë të mirë dhe i organizon mirë festat”, thotë një qytetar.

“Gjithçka është shumë bukur, organizimi perfekt. Mirënjohje qytetarëve të Korçës”, thotë një tjetër.

Gregory Aston jeton në SHBA. Ai i është bashkuar festës.

“Mamaja ime është nga Voskopoja dhe unë erdha së bashku me familjen për të parë vendin e origjinës sime. Mësuam për këtë festë dhe donim ta shihnim nga afër. Këtu është vërtet bukur, unë jetoj në Nju Jork dhe sigurisht që kam qenë prezent edhe në festa të tjera, por vlerësoj mënyrën si po festohet këtu. Ka njerëz mikpritës, muzikë të mirë dhe traditë”, thotë Aston.

Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo thotë se, surprizat e kësaj feste nuk do të mungojnë asnjëherë.

“Kjo festë jep një kontribut edhe në ekonominë e qytetit. Gjatë ditëve që zhvillohet festa, të gjitha hotelet e qytetit dhe rrethinave janë të zëna, madje edhe javë para se festa të fillojë”, thotë Filo.

Turistë dhe vizitorë janë ndalur në çdo hotel të qytetit të Korçës, Pogradecit dhe Voskopojës, duke bërë që për 5 netë të ketë fluks rezervimesh.

Top Channel