ISIS, humanitarja Kayla Mueller përdhunohej nga kreu i xhihadistëve

14/08/2015 00:00

Punonjësja amerikane e ndihmave, e cila u vra gjatë muajit shkurt teksa kishte mbetur peng i militantëve të Shtetit Islamik në Siri, është përdhunuar nga kreu më i lartë i grupit xhihadist, informojnë zyrtarë amerikanë për rrjetin informativ amerikan “ABC News”.

Kayla Mueller, 26 vjeç, është abuzuar seksualisht në mënyrë të vazhdueshme nga Abu Bakr al-Baghdadi, thonë zyrtarët amerikanë, të cilët zbulojnë gjithashtu se përfaqësues të lartë të antiterrorizmit në Amerikë ia kishin bërë të ditur familjes së saj këtë informacion që prej muajit qershor.

Mueller u mor peng teksa punonte në Aleppo të Sirisë në vitin 2013. Shteti Islamik deklaroi se ajo kishte mbetur viktimë e një sulmi ajror të avionëve jordanezë, por Shtetet e Bashkuara fajësojnë në fakt vetë militantët xhihadistë për vdekjen e saj.

“Jemi informuar se Kayla është torturuar, se ishte bërë pronë e Baghdadit. E kemi marrë këtë informacion nga qeveria amerikane që në muajin qershor”, thanë prindërit e saj, Carl dhe Marsha, sërish për “ABC News”.

Baghdadi mësohet ta ketë dërguar personalisht punonjësen humanitare në shtëpinë e një tjetër anëtari të ISIS, Abu Sayyaf, i cili ishte në krye të çështjeve të naftës dhe gazit natyror në kalifatin islamik deri përpara se të gjente vdekjen në një operacion të forcave speciale amerikane, në muajin maj.

Kanali mediatik amerikan tha se ai e vizitonte rregullisht vendstrehimin e saj, ku e mbante peng, dhe më pas e përdhunonte. Zyrtarët thonë se e kanë siguruar këtë informacion abuzimi nga të paktën dy adoleshente të minoritetit Jazidi, të cilat ishin gjithashtu pengje dhe skllave seksi të gjetura brenda strehëzës së Sayyaf, në momentin e operacionit amerikan.

Top Channel