Superkupa e Spanjës, Aduriz fundos Barcelonën. Baskët fitojnë 4-0

15/08/2015 00:00

Barcelona është tronditur në ndeshjen e parë të Superkupës së Spanjës. Katalansit janë mundur 4-0 në “San Mames” nga Athletic Bilbao, duke i lënë pak mundësi vetes për trofeun e gjashtë.

Baskët rrezikuan që në minutën e 12 me Erason, por topi përplaset me mbrojtjen katalanase, ndërsa disa sekonda më vonë San Jose realizon nga 40 metra, pasi Ter Stegen kishte dalë më parë nga porta për  të larguar një top me kokë jashtë zonës.

Luis Suarez tentoi që të barazonte, por topi u devijua, ndërsa në minutat e fundit të pjesës së parë Messit iu mohua goli nga goditja e dënimit, pasi portieri bask bëri një pritje spektakolare.

Në pjesën e dytë, Pedro dhe Messi rrezikuan përmes dy gjuajtjeve, por asnjëra nuk kaloi vijën fatale. Në të 53-n, Aduriz shënon golin e dytë me kokë, pas një krosimi nga e djathta.

Vetëm tetë minuta më vonë, sërish i njëjti lojtar që gjendet më së miri në zonë dhe me të djathtën realizon për 3-0. Nuk vonoi shumë dhe Aduriz realizon tregolësh nga pika e penalltisë, pasi Dani Alves kishte bërë një ndërhyrje në zonë.

Top Channel