“AI” kritikon Austrinë: Kushte jonjerëzore në kampet e refugjatëve. Aty ka edhe kosovarë

15/08/2015 00:00

Organizata për të drejtat e njeriut “Amnesty International” ka kritikuar Austrinë për kushtet jonjerëzore në kampin e refugjatëve në Traiskirshen, në afërsi të Vjenës.

Sipas organizatës, rreth 1 500 persona flenë në qiell të hapur, ndërsa refugjatët rrezikojnë të sëmurën, për shkak të kushteve të rënda higjienike. Sipas AI-s, në mesin e refugjatëve ka kosovarë, sirianë dhe afganë.

Ministria e Brendshme ka reaguar, duke thënë se qeveria është duke punuar që të përmirësojë kushtet.

Sipas tyre, vendi është duke u ballafaquar me një situatë aspak normale, pasi numri i personave që po kërkojnë azil është gjithnjë në rritje.

Kreu i degës austriake të “Amnesty International”, Heinz Pazelt, deklaroi për BBC-në se kushtet në qendrën e Traiskirshenit ishin të turpshme, sidomos për një vend të pasur sikurse Austria.

Pazelt tha se ka shumë fëmijë për të cilët nuk kujdeset askush. “Ata janë atje të vetëm dhe u duhet të mbijetojnë. Ata janë të fundit që marrin ushqimin, dhe kjo është një shkelje e konventës së të drejtave të fëmijëve”, u shpreh ai.

Në raportin e AI-së, thuhet se shumë probleme do të zgjidheshin në rast se do të kishte bashkëpunim më të mirë mes qeverisë dhe autoriteteve lokale.

Top Channel