Lirimi i hapësirave publike, aksioni në njësinë nr. 5. Veliaj: Qytetarët të na mbështesin

15/08/2015 00:00

Pas mbarimit të afatit për pronarët e lokaleve që kanë zaptuar trotuaret me tavolina dhe karrike, apo ata që shesin në rrugë, mëngjesin e së shtunës nisi aksioni i i policisë bashkiake dhe INUV për të mos lejuar askënd që ka zënë hapësirat publike në kryeqytet.

“Për çdo pengesë që heqim, për çdo lokal që detyrohet të kthehet dhe të respektojë distancën, për çdo vend parkimi ilegal që duhet ta çlirojnë, sigurisht që gjithmonë është dikush që mërzitet. Sepse në një Shqipëri dhe në një Tiranë të rumpallës, në katër vitet e fundit ‘gjej shesh e bëj përshesh’ ishte politika e ditës. Por ju garantoj që për çdo njeri që mërzitet nga zbatimi i ligjit, janë qindra apo mijëra të tjerë që i gëzohen zbatimit të ligjit. Ndaj për të gjithë këta qytetarë që e duan shtetin dhe ligjin, dhe që zgjedhjet e fundit votuan për shtet e ligj në Tiranë, i lus për bashkëpunim”, tha kryetari i bashkisë, Erion Veliaj.

Kryetari i bashkisë Veliaj ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve që kanë abuzuar deri më tani, ndërkohë që fton të gjithë ata që mbështesin zbatimin e ligjit që t’i bashkohen këtij aksioni.

“2 metra është hapësira minimale që i duhet një pensionisti të kalojë, dy metra është hapësira minimale që i duhet një nëne, një motre, apo një vajze të kalojë e pashqetësuar në trotuar. 2 metra ëshët hapësira që i duhet një invalidi me karrike me rrota që të kalojë rrugën dhe trotuarin. Bëhet fjalë për ti dhënë qytetit dy metra. Ndaj i lus gjithë qytetarët, fillojmë sot me njësinë 5, do vazhdojmë në çdo njësi të Tiranës”, tha Veliaj.     

Aksioni për lirimin e hapësirave publike ka nisur në zonën administrative numër 5, ndërkohë që do të shtrihet në të gjithë territorin e bashkisë së Tiranës.

Top Channel