Rritet bilanci i viktimave në Kinë, situatë e rëndë në Tianxhin

15/08/2015 00:00

Në qytetin port të Tianxhinit në Kinë ende vazhdon gjendja e rëndë. Sipas autoriteteve lokale numri i të vdekurve ka shkuar në 85, ndërsa të plagosurit mbi 720 prej të cilëve mbi 70 persona në gjendje kritike për jetën e shumë të tjerë vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur.

Ndër të vdekurit 21 i përkasin forcave zjarrfikëse nga të cilët mendohet se ka ende në rrënoja. Kjo pasi ata u gjendën menjëherë në vendgjarje për të shuar flakët e shpërthimit të parë kur një i dytë shumë herë më i fuqishëm ndodhi 40 minuta më pas. Gjatë konferencës për shtyp të policisë familjarë të të zhdukurve u mblodhën në protestë duke kërkuar më shumë seriozitet në procesin e kërkim-shpëtimit dhe informacione.

“Nga skuadra 5 nuk është konfirmuar asnjë emër. Pse nuk na japin informacione pasi jemi familjarë. Ata janë të gjithë fëmijë. I përkasin moshave 18, 19 vjeç e me i madhi ndër ta duhet të jetë 20 vjeç”, tha një prej familjarëve.

Në përpjekje për të qetësuar gruan një polic gjatë konferencës iu afrua dhe i tha se asnjë emër nuk është bërë publik nga ekipet e shpëtimit ende, qofshin këta edhe policë të forcave të rendit duke lënë të kuptohet që numri i viktimave pritet të rritet sërish në të ardhmen.

Ndërkohë nga ekspertët e hetimit vijnë të tjera lajme. Në vendin e shpërthimit kanë zbuluar cianid natriumi çka e shton frikën për një rrezik të mundshëm shpërthimi.

Kjo ka sjellë reagimin e menjëhershëm të forcave të ushtrisë të cilët kanë bërë evakuimin e banorëve në zonë në një rreze deri në 3 kilometra.

Deri tani i vetmi i mbijetuar është një 19-vjeçar nga forcat zjarrfikëse që sipas raporteve të policisë ka shpëtuar për mrekulli duke pasur parasysh që ndodhej vetem 20 metra larg epiqendrës së shpërthimit.

Top Channel