“The Guardian”: Shqipëria, perla e çuditshme dhe e lënë pas dore

15/08/2015 00:00

Është e disata herë që shtypi britantik i këtyre muajve të fundit shkruan pozitivisht dhe me realizëm tipik, për Shqipërinë dhe ofertën e saj turistike. I tillë është edhe shkrimi i prestigjozes “The Guardian” të Londrës i së shtunës, ku në suplementin masiv të saj për turizimin me lexueshmëri të lartë, boton një reportazh interesant dhe realist udhëtimi nga njeriu që njihet si “Eksploratori” i kësaj presitgjoze, Kevin Rashbi.( Kevin Rushby)

Gazetari i ” The Guardian”, autor i njohur në Britani për botime dhe libra udhëtimi në mbarë botën, me përvojën dhe elegancën e përshkrimit, ndryshe nga shumë shkrime të tjera plot stereopite për Shqipërinë, i jep lexuesit britanik dhe atij botëror, një panoramë dhe përjetim sikur lexuesit të ishin pjesë e këtij udhëtimi nëpër Shqipëri.

Në reportazhin e “The Guardian”, autori i cili në këtë udhëtim nëpër rrugë, që fillon nga Ballkani deri në Balltik bashkë me familjen e tij ka mbërritur ditë më parë në Shqipëri, për të cilën shkruan “dikur një vend i pamundur për të shkuar, aktualisht paksa jo i mirëmbajtur, eksentrik, por tërësisht i këndshëm”.

Kevin Rashbi i “The Guardian” e merr lexuesin e tij me vete bashkë me familjen e tij nëpër destinacione të ndryshme nëpër Shqipëri nga Shkodra, në Pogradec e deri në Korçë.
 
“Pasi kalojmë përmes një Kroacie dhe Mali i Zi të mirëmbajtur, Shqipëria duket si një qenush leshator paksa i palarë, por i lezetshëm me putra të ndotura, por me një bisht entuziast dhe të lëvizshëm”.

Në udhëtimin e tij nëpër gjurmë të Rruges Egnatia, autori i shkrimit të “The Guardian” për Shqipërinë jep të dhëna për historinë dhe rëndësinë e kësaj rruge me emër, për të mbërritur në fshatin e bukur Lin në Pogradec, ku përmes elementesh të zgjuara jep mesazhe të tolerancës fetare në Shqipëri dhe mikpritjes së mirënjohur shqiptare, si dhe ushqimit tipik që nga Korani në Pogradec tek Lakrori në Dardhe të Korçës.

“The Guardian” shkruan se ky autor i mirënjohur i çështjeve të turizmit nuk pati asnjë problem duke udhëtuar nëpër Shqiperi, ku policia e ka ndaluar makinën e tyre vetëm për t’u sugjeruar se duhen ndezur dritat gjatë udhëtimit nëpër këtë vend.

Kevin Rashbi i The Guardian të Londrës premton të rikthehet në Shqipëri pasi si e mbyll ai shkrimin; “Ne kemi rënë thellë në dashuri me këtë margaritar te papastër, por jashtëzakonisht impresionues dhe mbreslënës të quajtur Shqipëri nga banorët e saj dhe Albania nga gjithe të tjerët”.

(Origjinali: http://www.theguardian.com/travel/2015/aug/15/east-european-road-trip-albania-tombs-via-egnatia)

Top Channel