Më thuaj si bën selfie, të të them personalitetin

15/08/2015 00:00

Lloji i fotos selfie që ju bëni, më shumë se sa fytyra mund të japë një tablo të personalitetit, sipas një studimi të ri. Lin Qiu, një profesor psikologjie u ka kërkuar 20 përdoruesve të rrjeteve sociale kineze, që kanë bërë selfie, të plotësonin një pyetësor personaliteti.

Selfiet e tyre më pas u ekzaminuan nga mbi 100 studentë kinezë, të cilëve iu kërkua të jepnin gjykimin e tyre mbi personalitetin e atyre që kishin bërë fotot.

Studentëve iu kërkua të rendisnin selfiet në bazë të 13 tipareve, përfshirë shikimin në kamera dhe nëse kishte redaktim të fotos. Gjetjet e tyre, të publikuara në Computers and Human Behaviour, sugjerojnë se një numër selfiesh korrespondonin me personalitetin e pjesëmarrësve.

Ata që janë mirëdashës e të mirëkuptueshëm kanë tendencën të dalin të buzëqeshur apo të qeshur në selfiet e tyre, dhe të mbajnë kamerën në pozicion të ulët. Ata që bënin pjesë në kategorinë “të hapur për eksperienca” ishin gjithashtu të predispozuar të postonin selfie më pozitive.

Personat më të ndërgjegjshëm ishin më pak të predispozuar të publikonin vendndodhjen e tyre në sfondin e fotos, ndërsa të tjerët, të paqëndrueshëm emocionalisht dhe nevrikë, kishin tendencën të pozonin selfie në formën e “duck face”.

Në përgjithësi, studentët që ekzaminuan selfiet presupozonin se njerëzit që shprehnin emocione pozitive në foto dhe shikonin direkt në kamera ishin më miqësorë.

Top Channel