Rritet bilanci i vdekjeve të emigrantëve, 500 më shumë se vitin e kaluar

15/08/2015 00:00

Rritet bilanci i vdekjeve të emigrantëve gjatë tentativave në detin Mesdhe për të prekur brigjet e Europës, duke shpresuar për një jetë më të mirë.

Organizata Ndërkombëtare e Emigracionit (ONE) flet për 500 viktima më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Sipas saj, nga fillimi i vitit e deri tani, në det kanë humbur jetën 2300 persona krahasuar me 2000 që numëroheshin përgjatë gjithë 2014-s.
 
Po sipas të njëjtave burime, vendi më i rrezikshëm për emigrantët ka qenë kanali i Siçilisë, përmes të cilit vetëm gjatë këtij viti kanë prekur brigjet italiane më shumë se 102 mijë emigrantë të ardhur në Europë për t’i shpëtuar dhunës, varfërisë apo fatkeqësive.

Përsa u përket të ardhurve në kontinentin tonë, bazuar në të dhënat më të fundit nga shteti grek, vetëm në brigjet e tij kanë zbarkuar 134 mijë e 988 emigrantë të ardhur nga Turqia. Nëse këtij numri i shtojmë të ardhurit në Spanjë, në Maltë dhe në Itali, numri arrin në 239.248 që, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit, deri në fund të muajit gusht parashikohet të prekë 250 mijë. Gjithmonë sipas statistikave, 219.000 ishte numri i të ardhurve gjatë gjithë vitit 2014.

Vendet kryesore prej nga vijnë emigrantët dhe azilkërkuesit janë Siria, Eritrea, Afganistani, Nigeria dhe Somalia, citon ONE.

Top Channel