“Libri i pushimeve”

15/08/2015 00:00

Monika Shoshori Stafa- Unë e di pse “libri i pushimeve” shumicës suaj ju krijon një shqetësim. E di sepse edhe unë kam qenë sa ju. “Libri i pushimeve” ju duket si një detyrë. Dhe, kur gjërat kthehen në detyrë, duken si të padëshiruara.

“Libër pushimesh”, për më tepër si detyrë dhe për ironi në kohën më të lirë, në kohën e pushimeve! Duket gati-gati si një provokim. Përderisa jemi me pushime, pse duhet të ketë libra? Çudi me këta mësuesit, me prindërit, me të rriturit në tërësi, sikur nuk e kanë idenë ku ndahet koha e mësimit nga koha e pushimit. Që do të thotë se në pushime nuk ka lexim, as libër leximesh. Në pushime ka ikje nga oraret, ikje nga detyrat, ikje nga kryeqyteti, ikje nga librat. Çanta e shkollës kujtohet diku aty nga data një shtator, dhe kjo është detyrë e prindërve.

Shumë nga ju, kur mësuesja e letërsisë ju ka pyetur se cili është libri që keni lexuar gjatë verës, e ka zgjidhur shumë lehtë problemin: “Çufon dhe bubin kaçurrel” ose “Pushimet e Çufos”, që i keni lexuar vite më parë dhe e keni për herë të katërt a të pestë që i raportoni si libra të rinj; “Beni ecën vetë”, që gjithsesi e keni parë film; ndonjë nga “librat e artë” (“E bukura dhe bisha”, “Anastasia”, “Hirushja”, që i keni lexuar kur keni qenë të vegjël fare) dhe çfarë duhet tjetër? Edhe mësuesja është e kënaqur, edhe ju vetë jeni krejt në qetësi.

Dua t’ju them të vërtetën: ndonjëherë keni të drejtë që “e kënaqni” mësuesen duke u përgjigjur për të disatën herë se keni lexuar një libër të ri, të cilin në fakt e keni lexuar shumë vite më parë. Sidomos kur mosha juaj ka ndërruar dhe ajo ju kërkon ende libra për fëmijë, bie fjala “Nils Holgersonin” dhe aventurat e tij, të cilat tani jo vetëm që nuk të pëlqejnë më, por madje të bëjnë për të qeshur dhe të duket sikur të zvogëlojnë. Sepse edhe mësueset vetë shpeshherë nuk kanë më shumë se dhjetë tituj në krye dhe anketimin në fillim të vitit e bëjnë gati-gati formalisht.

Mbi të gjitha ju keni të drejtë për të pyetur: Cila është biblioteka ime, biblioteka e fëmijëve, biblioteka e teenagers, biblioteka e rishtarëve në botën e të rriturve? Në botimet shqiptare është e vështirë të gjesh libra që i adresohen një moshe. Ka me shumicë dhe pa fund “libra” për ata që nuk dinë të lexojnë, për fëmijët parashkollorë, të cilët duhet t’i mbushin me ngjyra që të dalë një fabul naive. Ka gjithashtu dhe shumë libra që lexohen prej të rriturve dhe ndriçojnë fantazinë e të vegjëlve. Dikur ekzistonte një “bibliotekë e fatosave” dhe një “bibliotekë e pionierëve”, madje dhe një “bibliotekë e rinisë”. Jo se këto biblioteka ishin më të mirat dhe më të suksesshmet, por kishin, siç thuhet në teoritë e komunikimit, një “adresant” të përcaktuar. Biblioteka të tilla sot nuk ekzistojnë, kështu që duhet të zgjidhni vetë ose të zgjedhin prindërit për ju. Që këtu problemi ndërlikohet. Mësuesit dhe prindërit e teprojnë me këshillat e tyre, të cilat shpesh as vetë nuk i përmbushin!

O-la-la! Kështu është dhe pikë! Unë e di se kjo është fjalia që po mendoni tani. Mirëpo le të jemi pak më të arsyeshëm. Le t’i lëmë të gjitha mungesat e të tjerëve. Le ta heqim nga mendja se mësuesja e letërsisë “librin e pushimeve” do t’jua kërkojë si një detyrë. Në fund të fundit, shkolla në jetën e njeriut zgjat nëntë vjet, dymbëdhjetë vjet, pesëmbëdhjetë vjet apo diçka më shumë, pastaj nuk keni as mësues, ndoshta as prindër mbi krye. Më thjeshtë: pastaj nuk ka fare libër pushimesh, nuk ka detyra verore dhe gjithçka varet prej jush. Për një kohë mund t’ia hidhni vetvetes se nuk ju duhet “Konti i Monte Kristos”, ngaqë e keni parë në kinema; se e njihni “Nga Apeninet deri në Ande” prej një cope leximi; se “Pesë javë me balon” apo “Njëzet mijë lega nën det” tani janë fantazi e tejkaluar dhe mund t’i shijosh në dokumentarët eksplorer dhe shumë të tjera. Mirëpo një ditë ju jeni në udhëtim dhe vëreni se shoferi i autobusit, apo i minibusit, ndërsa nget mjetin, në folenë e diskut kompakt nuk ka vënë një koleksion muzikor, por një libër të lexuar. Ai nuk ka kohë të lexojë si dikur, prandaj shfrytëzon kohën e udhëtimit. Ai nuk ka kohë të hapë librin, prandaj blen librin elektronik, ose e merr me qira, sikurse merrni ju filmin në mbrëmje. Dhe vetëdija juaj nuk i shmanget dot pyetjes: Po unë ç’lexoj dhe kur lexoj? Mos u përgjigjni, më parë po ju them unë një të vërtetë. Polakët e kanë dashur shumë Lech Walesa-n, njeriun që e ktheu vendin e vet në rrugën e lirisë qytetare qysh në vitin 1981. Dhe e kanë nderuar shumë. Por kurrë nuk ia kanë falur përgjigjen: “Në jetën time nuk kam çuar një libër deri në fund”. Bëjeni ju vetë krahasimin: cili është emri i tij sot, pas dy dekadash ndryshimi të përgjithshëm, dhe cili emri i Vaclav Havel-it çek, njeri i bibliotekës, librit, shkrimeve, leximit. Ndoshta nuk mund të bëhet fare asnjë krahasim! Dhe ju jeni qenie me ambicie, sigurisht nuk doni që emri t’ju humbasë rrugës së jetës. Atëherë pak nga pak ju mund të shkoni se “libri i pushimeve”, leximi, është një gjë që e doni ju vetë, jo që duhet bërë për të kënaqur mësueset, prindërit, të rriturit. Sepse vetëm librat shkollorë kanë pushime, libri tjetër nuk ka stinë. Dhe sigurisht që mësuesit dhe prindërit nuk ju kanë kërkuar të lexoni për libër pushimesh tekstin e kimisë apo të gjenetikës. Sepse ju nuk jeni mbetës apo vjeshtukë. Leximi tjetër nuk ka dimër e verë, është luks i jetës dhe pasurim i shpirtit njerëzor. Shumë gjëra që ju ëndërroni të ndodhin në jetë i gjeni vetëm në letërsi. Si mund të rriteni pa libra të tillë, si “Don Kishoti”, “Hamleti” dhe sonetet e Shekspirit, pak më vonë dhe “Dekameroni”, “Njeriu që qesh”, “Salla numër gjashtë”, “I huaji”, “Muri”, “Ringjallja”, “Ura mbi Drin”, “Mëhallat e botës”, “Emri i trëndafilit” dhe shumë libra të tjerë, që përbëjnë visarin botëror të dhuntisë krijuese. Unë e di se që tani ju po filloni t’i kërkoni këta libra, sepse Shqipëria lexon, pavarësisht prej lëndimeve që ka pësuar libri. Sepse dhe ju doni që të mendoni me mendjen tuaj, dhe për këtë ju duhet stërvitje truri po aq sa i duhet një atleti stërvitja fizike për të ruajtur rekordet e veta.

Ja, kështu “libri i pushimeve” nuk është më një detyrë shkollore, as një disiplinë të rriturish, por një shenjë se ju jeni rritur dhe doni të keni më shumë personalitet.

Top Channel