Telenovela e motrave dhe në polici, nuk i pranojnë prindërit; në YouTube 90 minuta xhirime

15/08/2015 00:00

Plani i dy motrave Kajtazi dyshohet se po vazhdon edhe brenda ambienteve të Komisariatit të Policisë Durrës për të shfajësuar veprimet e tyre për të cilat po ndiqen penalisht. Gjatë takimit me prindërit dhe motrën e madhe, vajzat kanë reaguar keq.

Kanë qëndruar larg dhe janë shfaqur të frikësuara nga prania e tyre. Të gëzuar që u gjetën shëndoshë e mirë, prindërit janë befasuar nga sjellja e vajzave të cilat jo vetëm që nuk u janë afruar apo kërkuar ndjesë për gjithçka kanë bërë, po u kanë qëndruar ftohtë e në distancë në prani të drejtuesve të policisë.

Babai i tyre tha per Top Channel, se priste që vajzat t’i kërkonin falje për gjithçka kanë bërë. Por ai thotë se pas një muaji arrati ato kishin ndryshuar edhe pamje dhe nëse do t’i kishin shkuar në shtëpi, nuk kishte për t’i njohur. Hiqmet Kajtazi thekson se nëse do të kishte ushtruar dhunë mbi vajzat 18 dhe 14 vjeçe, ato do t’i kishin denoncuar në polici dhe nuk do të ishin arratisur, pasi t’i kishin helmuar, grabitur dhe djegur shtëpinë. Ai mendon se vajzat e tij kanë nevojë për psikolog që duhet t’i ndihmojë në këtë moment të vështirë që po kalojnë.

Por një ditë pasi ato u gjetën në qytetin e Vlorës, ku edhe kishin marrë një shtëpi me qira, u mësua se motrat Kajtazi kanë postuar gjatë kësaj kohe disa video. Në dy prej tyre ato shfaqen me fytyrë, ndërsa në dy video të tjera vetëm me zë dhe rrëfejnë, atë që ato pretendojnë se ka ndodhur me jetën e tyre.

Orialda dhe Klevisa fajësojnë prindërit dhe motrën e tyre të madhe për arratisjen dhe pretendojnë se i kanë dhunuar.

Këto video që vajzat kanë shpërndarë në internet gjatë qëndrimit në Vlorë pritet të sjellin të tjera detaje mbi hetimet që prokuroria  po zhvillon edhe pas gjetjes së tyre.

Top Channel