Odiseja e tretë greke, eurogrupi aprovon programin 3-vjeçar të ndihmës

15/08/2015 00:00

Duket se “Odiseja” e tretë greke ka përfunduar në mbrëmjen e së premtes në Bruksel ku ministrat e Financave të Eurozonës kanë aprovuar programin trevjeçar të ndihmës së shpëtimit për Athinën me vlerë prej 86 mld euro, të cilën Greqia do të fillojë ta shlyejë pas 32 vitesh me normë interesi vetëm 1%.

Siç ka theksuar kreu i Eurogrupit Jeroen Dijsselbloem depozitat bankare të grekëve tashmë janë të sigurta, ndërsa përsa i përket qëndrueshmërisë së borxhit të vendit do të shqyrtohen masa të reja në muajin tetor.

“Paketa e përgjithshme e financimit sipas marrëveshjes për të cilën është rënë dakord, shkon në 86 miliardë euro. Kjo përfshin një shumë prej 25 miliardë euro, një “katalizator bankar “ që mund të vihet në dispozicion, nëse është e nevojshme, për të trajtuar kostot e mundshme të rikapitalizimit të bankave”, ka thënë Jeroen Dijsselbloem, kreu i Eurogrupit.

Kjo marrëveshje do ta çojë Greqinë përpara pasi do të krijojë një sistem të qëndrueshëm financiar pa dëmtuar depozituesit e bankave, ka deklaruar pas samitit ministri grek i Financave Efklidis Tsakalotos duke theksuar se suksesi i paketës se tretë të ndihmës do të varet nga fakti nëse grekët u përgjigjen sfidave të reformave të vështira.

“Çdo marrëveshje është aq e mirë për aq sa dikush e bën atë të mirë, kështu që le të shpresojmë që populli grek do të jetë në gjendje të bëjë më të mirën për të, të bëjë më të mirën për reformat dhe mundësinë për tu reformuar si dhe të zbusë ndonjë pasojë negative që me siguri ekziston brenda saj”. tha Efklidis Tsakalotos ministri i Financave.

Skeptiku më i fuqishëm për dhënien e një pakete të tretë ndihme për Greqinë,ministri gjerman i Financave Wolfgang Shcauble ka komentuar se vendimi është marrë kryesisht për shkak të ndyrshimit të qëndrimit të Athinës.

“Duket se Greqia përpiqet të ecë në një rrugë për të përmbushur kërkesat e saj ekonomike dhe interesat, siç tha zoti Tsipras sot. Dhe për këtë, ne të gjithë ramë dakord në samitin e Eurogrupit se duhet t’ja japim këtë mundësi. Por ne do të jemi të kujdesshëm, sepse kjo paketë përbëhet nga një shumë e madhe parash”, u shpreh Wolfgang Schauble, Ministri gjerman i Financave.

Pasi marrëveshja të ratifikohet edhe nga parlamentet e 6 vendeve të eurozonës në orët e ardhshme, prej 86 mld eurove të paketës së shpëtimit, Greqia do të marrë menjëherë, 10 mld euor për rikapitalizimin e bankave të dëmtuara nga vendosja e kontrollit të kapitaleve para dy muajsh. Gjithashtu do të marre 13 mld të tjera menjëherë për të shlyer detyrimet financiare të javëve në vazhdim si dhe 3 mld euro në fillim të vjeshtës.

Ajo që pritet tani prej të gjitha palëve është përfshirja e FMN që kërkon vazhdimisht reduktimin e borxhit të Greqisë, si kusht për të marrë pjesë në programin e ndihmës greke.

Ndërkohë me interes shihen edhe zhvillimet brenda Radikalëve të Majtë që udhëheqin tashmë të përçarë pasi gati një e treta e grupit parlamentar nuk mbështeti qeverinë në aprovimin e marrëveshjes në Parlament. Megjithatë edhe nëse Tsipras do të shkojë në zgjedhje të parakohshme duke kërkuar fillimisht votëbesimin e qeverisë pasi të sigurojë këstin e parë prej 26 mld euro të ndihmës ekonomike, sondazhet e tregojnë atë përsëri në pozitat e fuqishme për të fituar mbi partitë e tjera tradicionale të opozitës që kanë humbur në masë të madhe besimin e grekëve.

Top Channel