Stacioni policor në Valbonë, patrullimi i rrugës dhe qendër shëndetësore për turistët

15/08/2015 00:00

Për të rritur sigurinë e turistëve në Luginën e Valbonës po funksionon një stacion policor i improvizuar vetem për sezonin veror.

Ky stacion, që bën të mundur dhe patrullimin e rreth 30 kilometrave rrugë që lidh Valbonën me Bajram Currin, është ngritur nga policia, e cila kërkon bashkëpunimin e komunitetit për të parandaluar incidentet apo evidentuar rastet kur turistët kanë nevojë për ndihmë.

“Më urdhër të drejtorit të Policisë së Shtetit është ngritur stacioni policor në zonën turistike të Valbonës. Me forcat dhe mjetet që ka në dispozicion ne sigurojmë një shërbim të vazhdueshëm, 24 orë gjatë gjithë periudhës së sezonit turistik, duke nisur nga 15 maji deri më 15 shtator. Në këtë zonë janë marrë masa dhe për garantimin e sigurisë rrugore në rrugë kalimin Bajram Curri-Valbonë, ku patrullat e qarkullimit janë të pranishme 24 orë gjatë gjithë kohës së sezonit turistik për menaxhimin e fluksit të lëvizjes, parandalimit të aksidenteve”, thotë Ramiz Hymeti, Shef i Sektorit të Rendit Publik.
 
Përveç kësaj, në Valbonë funksion dhe Qendra Shëndetësore, ku sipas ndihmësmjekut të saj, shumë turistë paraqiten për të kërkuar ndihmë mjekësore për problem të ndryshme. Ai thotë se ka raste edhe të pickimeve nga gjarpërinjtë, sidomos të turistëve që janë të apasionuar pas ecjeve në mal dhe prekjes së majave të tyre.
 
“Kemi pasur shumë raste në ditë, ambulancën e kemi të plotësuar me gjithçka, nuk na mungon asgjë, shërbimi është 24 orë. Turistët në përgjithësi vijnë me temperaturë, ngaqë dalin nëpër male vijnë me trauma, humbje lëngjesh. Këtë vit kemi pasur vetëm dy kafshime nga gjarpri”, thotë ndihmësmjeku.
 
Vetëm në zonën turistike të Valbonës janë shënuar për këtë sezon mbi 20 mijë turistë, kryesisht të huaj, që admirojnë malet e thepisura, lëndinat dhe ushqimin tradicional të zonës.

Top Channel