Anulohet vendimi për paraburgimin e Ivanoviçit

15/08/2015 00:00

Anulohet vendimi për vazhdimin e paraburgimit për politikanin serb Oliver Ivanoviç, i cili akuzohet nga EULEX-i për krime lufte ndaj popullatës civile shqiptare.

Lajmin e bëjnë të ditur për Top Channel burime të afërta me procesin gjyqësor derisa EULEX-i zyrtarisht nuk është deklaruar për këtë çështje. Sipas burimeve, Gjykata e Apelit të premten në mbrëmje hodhi poshtë vendimin për vazhdimin e paraburgimit për liderin e inicativës qytetare (SDP) Oliver Ivanoviç deri më 6 tetor.

Mbetet në fuqi vendimi i vjetër sipas të cilit masa e arrestit për të pandehurin do të pëfundojë më 26 gusht. Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj tij pritet të vazhdojë sipas planit të parashikuar më herët nga gjykata. Vendimi menjëherë u është komunikuar palëve. Gjatë ditës, siç shkruajnë mediat serbe, lajmi është konfirmuar edhe nga avokati i Ivanoviçit, Nebojsha Vlajiç.

Vendimi për shfuqizimin e vendimit për vazhdimin e masës së paraburgimit erdhi në të njëjtën ditë kur serbët protestuan pranë gjykatës në veri duke kërkuar lirimin e tij nga paraburgimi dhe mbrojtjen në liri. Ditë më parë, serbët protestuan edhe pranë selisë së EULEX-it në Prishtinë. Në protestën e së enjtes ndërkaq mori pjesë edhe zëvendëskryeministri në qeverinë e Kosovës nga radhët e listës Serbe, Branimir Stojanoviç.

Oliver Ivanoviç, aktualisht kryetar i një iniciative qytetare në Mitrovicë, ka mbajtur poste të rëndësishme politike në periudhën e pasluftës në Kosovë. Ai ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës para shpalljes së pavarësisë. Më 27 janar të vitit të kaluar Oliver Ivanoviç është arrestuar nga policia nën akuzën për krime lufte dhe për vrasje të rëndë. Sipas organit të akuzës, veprat penale dyshohet se janë kryer në periudhën 1999-2000. Këtu përfshihet edhe ngjarja e 3 dhe 4 shkurtit e vitit 2000, kur mijëra familje shqiptare u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre në veri dhe gjithsej dhjetë mbetën të vrarë.

Top Channel