Mustafa në Facebook: Zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen në 2018

15/08/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa deklaron se zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë do të mbahen në vitin 2018. Në këtë mënyrë ai iu kundërpërgjigj kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili insiston që për shkak të qeverisjes së dobët, sipas tij, zgjedhjet të mbahen në këtë vjeshtë.

Në një postim në Facebook, kryeministri shkruan se “askush askënd nuk do ta pengojë që të bëjë prova dhe ushtrime për zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të mbahen në vitin 2018”.

Qeveria, sipas Mustafës, do të vazhdojë të punojë me ngulm për realizimin e programit të saj, që është shumë i mirë. Më tej, kryeministri në këtë status komenton edhe shkrimet në media për rrezikun që vendi të shkojë në zgjedhje nëse z. Thaçi nuk bëhet president i Kosovës. “Z. Thaçi do të bëhet President i Republikës së Kosovës, ashtu siç e kemi përcaktuar me marrëveshje”, shkruan Mustafa në Facebook.

Kryeministri komentoi edhe kërcënimin e lëvizjes Vetëvendosje për veprime radikale si pasojë e asociacionit të komunave me shumicë serbe, por edhe për të ardhmen e FSK-së. “Askush nuk do ta falë asnjë pëllëmbë toke të Kosovës dhe as nuk do të marrë nga toka e huaj dhe nuk do t’i jepet askujt hapësirë që ta rrezikojë shtetin, institucionet shtetërore dhe pronën private. Ushtrinë e kemi, sido që ia vemë emrin, forca është kjo që e kemi si FSK, andaj edhe ata që dëshirojnë ta pengojnë edhe ata që dëshirojë t’ia ndryshojnë emrin ashtu siç e kemi propozuar, duhet ta kenë të qartë se Kosova e ka forcën e vet. Prandaj, të punojmë, të flemë dhe të pushojmë rehat sepse përgjegjësitë për këtë shtet nuk i kemi marrë për mahi”, shkruan Isa Mustafa.

Top Channel