Konstituohet Bashkia Pogradec. Vazhdon “pazari”: PS fiton këshillin, por humb pesë vota

15/08/2015 00:00

Bashkia e Pogradecit më në fund ka arritur të konstituohet dhe kryebashkiaku i ri Eduart Kapri të marrë mandatin për të nisur punën. Kapri ka bërë betimin pas një mbledhjeje të gjatë e me debate të këshilltarëve.

“Ju premtoj që me Këshillin Bashkiak do të marrim vendime të përbashkëta. Do të diskutojmë të gjithë bashkë për të gjitha problemet e qytetit”, tha Kapri në fjalën e tij.

Në mbledhje mori pjesë edhe zëvendëskryeministri Niko Peleshi, i cili premtoi realizimin e projekteve për qytetin.

Mbledhja me tension zbuloi se shkaku i bllokimit disa javor ishte lufta për të marrë edhe kreun e Këshillit Bashkiak. Të majtët në zgjedhje fituan 21 vende dhe të djathtët vetëm 10, por shumë vota të majta kaluan djathtas. Në pritje të kësaj mbledhjeje kanë ndodhur shumë lëvizje, që nga ofertat ndaj këshilltarëve deri të presionet. Gjatë mbledhjes, një këshilltar i djathtë dha dorëheqjen për shkak se në këshill ndodhej edhe vëllai i tij.

Pas shumë orë debatesh, diskutimesh, takime kokë më kokë të këshilltarëve, Partia Socialiste mundi të fitojë postin e kryetarit të Këshillit Bashkiak. Ajo është Natali Velo, e cila mori 16 vota kundrejt 21 që kanë të majtët.

Rrjedhja e 5 votave duket se ndodhi sepse Partia Demokratike mbështeti kandidimin e një këshilltari nga partitë e majta, një skemë përçarjeje kjo që nuk dha efekt ashtu si në zgjedhjet e qershorit.

Në përfundim, kandidati i së djathtës mori 3 vota më pak se rivalja, por tre vota më shumë se gjithë grupi i këshilltarëve të opozitës.

Top Channel