Shkodër, arrestohen 3 posedues droge dhe armësh luftarake

16/08/2015 00:00

Forcat operacionale të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me ato të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër, kanë përmbyllur me sukses një operacion të ndërmarrë gjatë së shtunës të koduar me emrin “Drishti”, në fund të të cilit janë arrestuar 3 persona, si dhe janë sekuestruar drogë dhe arsenal armësh.

Konkretisht, bëhet fjalë për shtetasit Vladimir Papaj, 29 vjeç; Hilmi Uriçi, 31 vjeç dhe Sabri Ara, 55 vjeç; që të gjithë banues në Shkodër, të cilëve iu sekuestruan 30 kg e 451 gr marijuanë, si dhe 4 armë zjarri automatikë, një pistoletë, një jelek antiplumb e më tej një sasi municioni luftarak.

Operacioni i shërbimeve të uniformave blu është konkluduar pas një hetimi dyjavor me metoda proaktive, gjë që çoi në arrestimin në flagrancë të këtyre shtetasve, materialet hetimore për të cilët i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit Shkodër për dokumentimin e mëtejshëm dhe ngritjen e akuzës për veprat penale “prodhim e shitje të narkotikëve në bashkëpunim”, “kultivim të bimëve narkotike”, “trafikim të armëve dhe municionit në bashkëpunim”, si dhe “prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta”.

Ndër të tjera, nën cilësinë e provave materiale janë sekuestruar edhe një automjet “Jeep” me targa SH 2707 D, pa dukumente dhe ngjyrë blu; 3 telefona celularë “Samsung”; 3 kartëmonedha 1000 lekëshe; 2 krëhëra me 111 fishekë, thikë, dorezë metalike, shkop, bombola “ASG”, si dhe një motor me targa SH 259 E.

Top Channel