LeBron James u paguan studimet 2300 fëmijëve nga qyteti i lindjes

16/08/2015 00:00

“Çfarë dëshironi të bëheni? Mësues, shkencëtarë, inxhinierë apo doktorë? Tashmë mund t’i realizoni ëndrrat tuaja, sepse ky personi që është përballë jush beson plotësisht te ju”.

Kjo ka qenë deklarata e personit që i është drejtuar një grupi fëmijësh dhe që, as më pak e as më shumë, është vetë ylli i basketbollit amerikan, LeBron James, i cili aktivizohet me Cleveland Cavaliers.

Përmes fondacionit të tij, “Mbreti”, siç njihet mes të apasionuarve të NBA, ka vendosur t’u paguajë studimet 2300 fëmijëve të qytetit të tij Akron, në Ohio, aty ku u lind dhe ku u rrit.

Bëhet fjalë për fëmijë, ashtu siç ka qenë edhe vetë ylli i basketbollit, me një fëmijëri të vështirë dhe familje që nuk mund t’ua sigurojnë studimet për 4 vite me radhë në Universitetin e Akronit, për shkak të kostos prej 9500 dollarësh në vit, apo 38 mijë dollarë për të gjithë periudhën studimore.

Kushtet për këtë financim ende nuk janë përcaktuar në tërësi, por kryesorja është që mund të konsiderohesh pa problem si “djali apo vajza e LeBronit”, të bëhesh pjesë e programit të fondacionit të tij dhe ta ngresh emrin e tij edhe më lart çdo verë. Studentët duhet gjithashtu të diplomohen në shkollat publike të qytetit, të kenë vlerësime të mira dhe t’i ruajnë ato përgjatë gjithë kohës së studimit.

Aktualisht janë regjistruar 1100 fëmijë në programin e basketbollistit më të famshëm të viteve të fundit, ndërkohë që 1200 të tjerë priten të regjistrohen në vitet e ardhshme.

Top Channel