Polici-OSHEE, 30 raste vjedhjeje; 10 të arrestuar dhe 10 të shpallur në kërkim

16/08/2015 00:00

Gjatë javës së fundit, bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka rezultuar në zbulimin e 30 rasteve të vjedhjes së energjisë elektrike në të gjithë vendin.

Sipas një njoftimi zyrtar, për kryerjen e kësaj vepre penale janë gjetur 32 autorë, 8 prej të cilëve u arrestuan në flagrancë me akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike, 10 persona janë shpallur në kërkim dhe 14 të tjerë ndiqen në gjendje të lirë.

Gjatë kontrolleve të përbashkëta të kësaj jave, policia thotë se është arrestuar në flagrancë edhe një elektriçist dhe një përgjegjës filiali i OSHEE-së, si dhe është proceduar në gjendje të lirë për “shpërdorim detyre” drejtori rajonal i një filiali të OSHEE-së.

Njoftimi zyrtar thotë se, këtë javë u angazhuan 85 grupe të përbashkëta, duke verifikuar 4332 raste, prej të cilave janë ndërprerë 987 lidhje të abonentëve debitorë.

Policia e Shtetit thotë se, bashkë me Operatorin e Shpërndarjes, janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë apo punonjës të vetë OSHEE-së.

Top Channel