Narrativa e gushtit

16/08/2015 00:00

Ilir Yzeiri – Që të kemi narrativë duhet që të identifikojmë folësin, pra atë që rrëfen, të shohim se çfarë rrëfen dhe çfarë efekti prodhon mbi ata që e lexojnë këtë rrëfim. Një anë tjetër që duhet të mbajmë në vështrim është edhe mjeti mbi të cilin vendoset ky rrëfim.

Këtu të gjithë biem në një mendje se në shoqëritë e sotme teknologjike, mediat, sidomos përmes transmetimit dixhital dhe interneti janë mediumet mbi të cilat vendoset narrativa kolektive e një vendi të caktuar. Mirëpo, kjo narrativë ndryshon nga një vend në tjetrin. Globin e popullojnë njerëz në çdo cep, por historitë e tyre dhe jeta që ata çojnë janë të ndryshme. Për shkak të globalizimit të thellë dhe përhapjes së teknologjive të informimit, sot, nga çdo cep i botës, mund të marrësh vesh dhe mund të lexosh narrativën e cilitdo shtet apo popull. Në kohë reale mund të ndjekësh edhe se çfarë ndodh në një anije kozmike. Bota, siç thoshte Eko, po shndërrohet në një fshat të madh. Meqenëse jemi te fshati, le të qëndrojmë pak këtu.

Cilat gjëra rrëfejmë?

Është pranuar nga të gjithë se rrëfimi mediatik e ka varfëruar jetën kulturore dhe i ka bërë shoqëritë më të përcipta. Përgjithësisht, shoqëritë e konsoliduara, përveç rrëfimit mediatik, përdorin shumë edhe narrativën historike që ndërtohet me mjete më të sofistikuara që janë pronë e kulturës dhe artit. Filmat, ekspozitat, muzetë, librat, letërsia historike dhe shkencore e konkurrojnë narrativën mediatike dhe në ndonjë rast edhe e kapërcejnë atë. Për fat të keq, në vendet e prapambetura dhe të përcipta, me memorie të shpartalluar, siç jemi ne, rrëfimi i përciptë mediatik është zotërues dhe e projekton gjithë shoqërinë si një konsumatore banale të narrativës mediatike. Nëse ndjek mediat shqiptare në këto ditë vere, do të shohësh se këtu jeton një popull i çakërdisur dhe banal që nga mëngjesi në darkë hidhet e përdridhet në pishina, pastaj merr pistoletën dhe vret e pret për nder dhe ata që mendohet se janë autorë të kësaj narrative vijojnë të ndërtojnë histori me dy ose tri personazhe që kanë zëvendësuar gjithçka në jetën e banorëve të këtij fshati. Diku mes rreshtash të kësaj narrative u tha se tatimet dhe doganat kanë falimentuar, se ekonomia informale e ka pushtuar këtë vend më keq se më parë. Mirëpo, nëse ti sheh narrativën me imazhe të këtij vendi, do të vëresh se nga mëngjesi deri në mbrëmje, një gazetar është vendosur në plazhet e Shqipërisë dhe na tregon një Shqipëri anormale, me djem e vajza që dalin aty dhe flasin për lloj-lloj broçkullash. Askujt nuk i shkon ndërmend që të pyesë se sa para kanë paguar për dhomën e hotelit, për shezlongun, për pijet. A e marrin faturën tatimore? Gjithë bregu i Shqipërisë është mbushur plot me turistë vendës e të huaj, por narrativa e gushtit nuk na flet për Shqipërinë reale, por për një fshat me njerëz anormalë që hidhen e përdridhen para kamerave dhe gazetarë që vendosin kamerat para plazheve dhe rrëfejnë për një realitet që nuk i intereson askujt. Ajo që na intereson të gjithëve, pra jeta reale, çmimet, taksat, faturat, kjo botë nuk rrëfehet, sepse mediat tona ndërtojnë një narrativë banale që mbështetet mbi parimin e fisit dhe të jetës orientale që nuk e ka shqetësim ekzistencën, por ka shqetësim aparencën, plogështinë zdërhalljen në diell. Në fund të kësaj narrative ka një epilog të mrekullueshëm. Një gazetar gjen Ilir Metën dhe bën lajmin e madh se Meta dhe Rama dashurohen ende. Kaq i ngazëllyer është nga kjo intervistë sa i bien brekët në ujë. Ashtu pa brekë në bythë, por të freskuar nga narrativa e pështirë e gushtit, duket se do ta mbyllim edhe këtë verë.

Dy fjalë në fund

Ajo që tërheq vëmendjen në gusht është edhe një narrativë tjetër. Herë pas here, gazetarë të huaj shkruajnë për ne dhe, për hir të së vërtetës, në përgjithësi, shkruajnë me pozitivitet. Ju bën përshtypje natyra, historia e këtij vendi, por edhe çmimet e volitshme dhe hoteleria e pëlqyeshme. Këtë vit, Sazani, me historinë e tij, është vërtet një tërheqje për turistët, por në këtë vend ka shumë gjëra që mund të tregohen bukur. Mirëpo, problemi është se ne jemi barbarët më të mëdhenj ndaj historisë sonë. Nëse hedh një sy në narrativën e debatit apo polemikës apo analizës, do të vëresh se shqiptarët pa përjashtim janë të gjithë të indoktrinuar nga komunizmi, që të gjithë janë enveristë në shpirt. Ashtu si enveristët që e gjenin fuqinë e tyre të shkatërrimit në histori, duke e masakruar atë, duke e rrëfyer ashtu siç donin ata, në mënyrë që të justifikonin si krimet ashtu dhe revolucionet apo shndërrimet e mëdha, edhe sot, të gjitha palët i turren historisë në mënyrë që të marrin aty lëngun e zi për gurmazet e tharë që vjellin zjarr e tym mbi kundërshtarët. Ne jemi të paaftë që të paktën historinë ta pranojmë ashtu siç ka ndodhur dhe ta rrëfejmë ashtu siç është zhvilluar. Krimet janë krime në të gjitha kohët dhe ato i dënojnë gjykatat. Meqenëse jemi te narrativa e gushtit, më duhet të shtoj se të gjithë turistët që shoh nëpër Tiranë, vijnë vërdallë te një bunker pranë Kuvendit dhe te vila e Enver Hoxhës që nuk ka asnjë simbolikë që të tregojë diktaturën. Mendoni se sa do të ishte radha para Piramidës në qoftë se aty ne do të kishim ndërtuar një muze të vërtetë të diktaturës dhe të socializmit shqiptar. Por ndoshta kjo është e parealizueshme për shumë arsye. Le të shohim diçka tjetër. Një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e Shqipërisë është padyshim Rrethimi dhe Rënia e Shkodrës, në vitin 1478. Vepra e Marin Barletit për këtë ngjarje është ndër më të bukurat në letërsinë europiane. Mirëpo, ne, kurrë nuk kemi menduar se si të ripërtërijmë atë ngjarje me anë të një feste. Popujt e qytetëruar e përdorin historinë për të mos harruar identitetin e tyre, për t’u frymëzuar prej saj dhe për t’u zbavitur gjithashtu. Ne, shqiptarët e sotëm, vijojmë ta përdorim historinë si një armë për të treguar fuqinë mbi kundërshtarin. Përfytyroni se çfarë mrekullie do të ishte sikur çdo vit në Shkodër të festohej kjo ngjarje e madhe duke stilizuar atë betejë, pra duke e veshur kalanë dhe rrethinat me atmosferën e kësaj ngjarjeje. Natyrisht, në përgatitjen e kësaj feste do të duhej zgjuarsi dhe kujdes që të mos kishte revansh ndaj askujt. Festa të tilla të mëdha duhet të kenë formën dhe vlerën e spektakleve dhe efekti i tyre duhet të jetë buzëqeshja jo urrejtja dhe përbuzja. Përfytyroni si do të ngjallej ai qytet nga riaktivizimi i vetëm kësaj ngjarjeje. Po sa të tilla ka ky vend. Përfytyroni tani se çfarë narrative do të ndërtohej në këtë vend dhe çfarë pjese do të zinte në këtë narrativë historia e divorcit apo e dashurisë mes Ramës e Metës dhe gazetarit që i ranë brekët pse u ngazëllye që foli me Ilir Metën. E përfytyroni dot?…

Top Channel