Zhduket avioni indonezian në rajonin e Papuas; 54 persona në bord

16/08/2015 00:00

Kontakti me “ATR 42” të “Trigana Air” humbi pak pas orës 15, me orën lokale, dhe autoritetet nuk kanë pasur rrugë tjetër veçse ta shpallin të zhdukur avionin indonezian me 54 persona në bord.

“Nuk e dimë me siguri çfarë ka ndodhur dhe në këto momente po bashkëpunojmë ngushtësisht me zyrtarët lokalë”, tha për Associated Press zëdhënësi i Ministrisë së Transporteve, Julius Barata.

Në rajonin e Papuas, ku ka humbur avioni, kushtet atmosferike aktualisht janë shumë të këqija; moti është i vranët e dukshmëria e ulët. Për Baratën, kjo nuk është aspak koha e përshtatshme për të nisur kërkimet, sidomos në një terren aq të thyer malor.

Avioni me 44 pasagjerë të rritur në bord, 5 fëmijë dhe 5 anëtarë ekuipazhi, u zhduk nga radarët pak pas ngritjes në ajër nga Aeroporti i Sentanit në kryeqendrën rajonale të Jayapura, drejt qyteti jugor të Oksibilit.

Nisja u bë në orën 14 e 21 dhe në 14 e 55 minuta kontakti ishte humbur. “Trigana Air” ka pasur 14 incidente serioze, që prej nisjes së operacioneve në 1991-shin, periudhë përgjatë së cilës ka humbur të paktën 10 aeroplanë. Kjo linjë ajrore është që prej 2007-s në listën e zezë të Bashkimit Europian, ku me përjashtim të 4 kompanive, bëjnë pjesë të gjitha linjat e tjera indoneziane.

Historikun e aviacionit në përgjithësi, ky vend e ka plot me njolla dhe vetëm vitin e kaluar regjistroi dy aksidente të mëdha: një avion i “Indonesia AirAsia” u rrëzua dhjetorin e kaluar në detin e Javës, gjatë një fluturimi ndërkombëtar nga Surabaya drejt Singaporit, duke vrarë të 192 personat në bord; ndërsa një muaj më parë, rënia e një avioni ushtarak transporti mbi një zonë rezidenciale të Medanit, në Sumatra, mori më shumë se 140 jetë njerëzish, duke përfshirë këtu edhe disa persona në tokë.

Top Channel