SHBA, rriten tonet e presidencialeve. Clinton u përgjigjet akuzave të Bushit për Irakun

16/08/2015 00:00

Hillary Clinton kaloi në kundërsulm ndaj njërit prej rivalëve republikanë në rrugën drejt Shtëpisë së Bardhë, Jeb Bush. Komentet e tij, mbi përgjegjësinë e paqëndrueshmërinë në Irak, nuk e lanë indiferente ish-Zonjën e Parë.

Të martën, Bush e akuzoi administratën “Obama” për një tërheqje të parakohshme të forcave amerikane nga vendi i trazuar në 2011-n, veprim që – sipas tij, – pati një kosto shumë të madhe. Por, me një lëvizje të zgjuar, Clinton i kujtoi kundërshtarit se, largimin e Shteteve të Bashkuara nga Iraku e kishte negociuar pikërisht i vëllai George W. Bush, në kohën kur ishte President i Amerikës.

Lufta e nisur në Irak në 2003-shin u pasua nga vite të tëra dhune në vendin e Lindjes së Mesme. Tërheqjen prej andej, 4 vite më parë, Jeb Bush e cilësoi një “gabim fatal”, i cili destabilizoi kombin e i hapi rrugën rritjes së militantëve të Shtetit Islamik.

Të etur për të shkruar historinë, ata dështuan të jenë paqeruajtës, – tha Bush, duke iu referuar Obamës dhe vetë Clintonit, Sekretare Shteti nga viti 2009 deri në 2013-n. – T’i largohesh nxitimthi rrezikut, mund të jetë mungesë mençurie po aq e madhe, sa të vraposh drejt tij, – shtoi pretendenti republikan për Presidencën e SHBA-ve. Përgjigjen e saj, Hillary e dha të shtunën.

“Zoti Bush duhet ta paraqesë tablonë të plotë, duke përfshirë këtu edhe marrëveshjen, që George W. Bush bëri me qeverinë e Malikit në Irak, e cila vendoste fundin e 2011-s, si datën e tërheqjes së trupave amerikane. Tani nuk më mbetet gjë tjetër, veçse të pyes veten: ai nuk e dinte këtë gjë, apo thjesht mendoi se njerëzve nuk do t’iu kujtohej ç’ka ndodhur?”, u shpreh Hillary Clinton.

Në sytë e analistëve, sulmi i Bushit, më shumë sesa keq, Hillary Clintonit i ka bërë mirë. Që kur deklaroi në muajin prill se, do të jetë pjesë e garës për Shtëpinë e Bardhë, sfida më e madhe e saj ka qenë të gjenerojë entuziazëm në radhët e simpatizantëve të partisë së vet, për marshimin drejt nominimit demokrat.

Dhe, sa më shumë përplaset me republikanët, aq më shumë do të shtohen radhët e mbështetësve në kampin e saj, ndërsa lufta e fjalëve me Jeb Bushin, fare mirë mund t’i shërbejë për ta larguar nga polemikat mbi përdorimin e serverit privat të email-it për shkëmbime zyrtare, e për t’i bërë ballë ngjitjes së beftë në sondazhe të kandidatit demokrat nga Vermonti, Bernie Sanders.

Top Channel