Ndahet nga jeta akademiku kosovar Esat Stavileci

16/08/2015 00:00

Të shtunën pasdite, në moshën 73-vjeçare ka ndërruar jetë akademiku Esat Stavileci, anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ekspert në fushën e Shkencave Juridike.

Lajmi është bërë i ditur nga Adademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës me anë të një njoftimi, ku thuhet se “kjo është një humbje e madhe për familjen, shkencën dhe vetë akademinë, për kolegët dhe miqtë e shumtë anembanë Kosovës dhe trojeve shqiptare”.

“Me këtë rast, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Stavileci, miqve dhe adhuruesve të tij kudo në Kosovë dhe botën shqiptare. Nderimet e fundit do t’i bëhen të hënën, më 17 gusht 2015, në orën 10:00, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa homazhet nga ora 10:30-11:30, sërish në mjediset e akademisë”, thuhet në njoftim.

Prej vitit 1965 e deri në daljen në pension, Stavileci punoi si profesor në Fakultetin Juridik të Prishtinës, ku ishte i angazhuar në studimet master dhe ato të doktoraturës edhe pas daljes në pension.

Krijimtaria e tij shtrihet në shumë fusha të interesit shkencor, veçanërisht në ato juridike-kushtetuese, në fushën e sistemeve politiko-krahasimore, të Administratës dhe të administrimit publik në përgjithësi, të metodologjisë së shkencave shoqërore dhe juridike, si dhe në fushën e terminologjisë juridike.

Akademiku Stavileci do të prehet në varrezat e qytetit të Gjakovës, teksa ceremonia mortore do të bëhet më 17 gusht 2015, në orën 17:00.

Mbledhja përkujtimore dhe homazhet do të bëhen në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë nga ora 14:00.

Top Channel