Bashkia e Tiranës vijon aksionin. Seferi: Asnjë kompromis me zaptuesit e hapësirave publike

16/08/2015 00:00

Bashkia e Tiranës po vijon aksionin për lirimin e hapësirave publike, të zëna në mënyrë të paligjshme nga qytetarë dhe biznese të ndryshme në njësinë administrative nr. 5.

Forcat e Policisë Bashkiake dhe ato të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor, të shoqëruara edhe nga Policia e Rendit, janë përqendruar në zonën e “Komunës së Parisit”, ku kanë bërë lirimin jo vetëm të akseve kryesore, por edhe të rrugicave dhe të gjitha hapësirave në brendësi të blloqeve të pallateve.

Aksioni u ndoq nga nënkryetari i bashkisë Andi Seferi i cili paralajmëron asnjë kompromis në kundërshtim me ligjin dhe interesat e qytetarëve të Tiranës.

“Ajo që kemi vënë re është se në asnjë nga rastet nuk ka një dokumentacion në përputhje me ligjin, madje, ose u ka kaluar data, ose janë dhënë në mënyrë provizore në vitet e kaluara”,  u shpreh nënkryetari i Bashkisë Tiranë.

Seferi thotë gjithashtu se kjo nuk është një fushatë, por do të jetë puna e përditshme e Bashkisë së Tiranës për të mbrojtur hapësirat publikë që zaptohen padrejtësisht.

“Nuk është vetëm një aksion, por nga sot e tutje do të jetë puna e përditshme e bashkisë. Në çdo njësi ku do të hyjmë, në çdo bllok pallatesh, do të ketë patrulla të lëvizshme, të cilat do të verifikojnë, në çdo moment, çfarëdo lloj ndryshimi që do të ndodhë në mënyrë të kundërligjshme, ku kundravajtësit do të gjobiten”, deklaroi ai.

Në ditët në vijim, aksioni për lirimin e hapësirave publike nga njësia 5 do të zhvendoset në zona të tjera të kryeqytetit.

Top Channel