57-vjeçarja me fizikun perfekt

16/08/2015 00:00

57 vjeç dhe me një fizik perfekt. Kopertina e numrit të revistës së njohur “Harper’s Bazaar” për muajin shtator përjetëson një Sharon Stone, që nuk druhet ta tregojë trupin e saj edhe në këtë moshë.

“Të jesh tërheqëse, – thotë aktorja e famshme për bukurinë e saj të padëmtuar nga koha, – do të thotë të jesh e ndërgjegjshme, të kënaqesh e ta pëlqesh personin brenda teje, aq sa mjafton për ta vlerësuar”.

29 shtatorin e vitit 2001, Stone pati një hemorragji cerebrale, që e çoi gati në fund të jetës, ndërsa 3 vite pas atij makthi, pak kohë pasi kishte finalizuar divorcin me bashkëshortin e dytë, pësoi një infarkt në zemër.

Asnjëri prej këtyre dy episodeve nuk e rrëzoi. Megjithatë, siç rrëfen dhe vetë për “Harper’s Bazaar”, nuk e ka pasur të lehtë. Në spital shkoi pas disa ditë shqetësimesh të mëdha shëndetësore. Kishte humbur ndienjat e kur hapi sytë, pa doktorin që po e kontrollonte.

E pyeti: A jam duke vdekur?
Ai iu përgjigj: Ke hemorragji në tru.
Atëherë ajo i tha: Duhet të marr mamanë në telefon.
Mjeku ia ktheu: Mirë do bësh, se shumë shpejt mund të humbasësh edhe aftësinë e të folurit.

Aktorja tregon më pas për dhimbjen agonizuese të asaj, që u diagnostikua si arterie e këputur vertebrale. Për muaj të tërë nuk e ka ndierë fare këmbën e majtë dhe shikimi i arriti në pikën, që nuk lexonte dot. Vuajtjet ishin të mëdha e problemet që pasuan reflektoheshin edhe në profesion.

“Nuk mbaja mend rreshtat që duhej të përsërisja – kujton 57-vjeçarja, – kishte momente që e gjithë kjo bëhej poshtëruese. E megjithatë, – shton ajo, – sot ndihem më e fortë dhe nëse njerëzit tremben prej asaj çfarë unë jam, u them se ky nuk është problemi im”.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel