Voskopoja, fshati turistik në pjesën juglindore të Shqipërisë mbetet një nga destinacionet më të preferuara për turistët vendas dhe të huaj. E ndodhur vetëm 20 km larg Korçës, Voskopoja vazhdon ta ruajë potencialin e saj turistik.

Çdo ditë e më tepër kjo perlë tërheq turistët e huaj ku përveç atyre që ndalen për pak, ka nga ata që kalojnë ditët e tyre të pushimeve duke zëvendësuar bregdetin me klimën malore.

Një çift ka ardhur nga Gjermania ta vizitojë Voskopojën.

“Ne sapo kemi mbërritur nga Gjermania . Në një faqe interneti në Zvicër lexuam se nëse je në rajonin e Korçës me patjetër duhet të shkosh e të vizitosh Voskopojën . Sot është një qytet i vogël, por e shikon të rrethuar nga kultura. Jemi të lumtuar dhe në të njëjtën kohë kurioz, duam ta shohim se çfarë është”, u shpreh djali.

“Nga çfarë kemi parë deri më tani është me të vërtetë shumë bukur. Mezi presim të shohim pjesën tjetër…”, deklaroi vajza.

Përveç të huajve, fshatit nuk i mungojnë as pushuesit nga kryeqyteti apo qytetet e mëdha si Durrësi e Elbasani, ndërsa të pandarë janë qytetarët e Korçës.

Ata tashmë e kanë kuptuar rëndësinë e saj dhe do të krenohen me të, sepse Voskopoja mbetet një nga qendrat më të rëndësishme kulturore, artistike e historike të Ballkanit, një perlë e kulturës ballkanike dhe europiane.

“Ajri i pastër, ushqimi bio dhe qetësia këto janë arsyet pse erdha këtu, sepse mund ta kisha zgjedhur edhe plazhin, por zgjodha Voskopojën”, u shpreh një turist shqiptar.

“Kam njëzetvjet që pushoj këtu. Çfarë të mos i dusha Voskopojës? Vij tre-katër herë në vit”, deklaroi një tjetër pushuese në këtë fshat turistik.

“Është viti i gjashtë që vij në Voskopojë, ndërsa këto janë pushimet e dyta në këtë vit. Voskopojën e bënë gjithçka të veçantë”, tha nja tjetër pushuese, e shoqëruar me të bijën.

E ndërsa ajri i pastër dhe natyra të joshin për të qëndruar sa më gjatë në këtë fshat, gatimet tradicionale dhe ushqimi bio mbeten tipari kryesor i menusë së çdo restoranti që gjen në fshat.

Top Channel