156 mijë fëmijë, riaplikim për pasaporta. U prodhuan gabim me afat 10-vjeçar

16/08/2015 00:00

156 mijë shtetas shqiptarë duhet të riaplikojnë për pasaporta për fëmijët e tyre, për shkak të një gabimi teknik gjatë prodhimit të dokumentit biometrik në vitet 2009-2010.

Gjatë një interviste për Top Channel, drejtoresha e sistemeve informatike në Drejtorinë e Pergjithshme të Gjendjes Civile, Miranda Harizaj pohon se pasaportat, për shtetasit deri në 16 vjeç, aksidentalisht janë prodhuar me afat 10-vjeçar, ndërsa duhet të ishin me afat përdorimi për 5 vite.

“Siç dihet, në ligjin për pajisjen me pasaportë të shtetasve shqiptarë, afati i vlefshmërisë për shtetasit nën 16 vjeç është 5 vite. Për periudhën Prill 2009-Korrik 2010, Ministria e Punëve të Brendshme ka prodhuar 156 mijë pasaporta për shtetasit nën 16 vjeç në momentin e aplikimit, të cilët kanë pasur afat të pasaktë vlefshmërie. Afati i tyre i vlefshmërisë, në vend që të ishte për 5 vite, ishte bërë 10 vite. Kjo ka ndodhur për shkak të një gabimi teknik në sistem, që u konstatua me vonesë dhe ndryshimet e nevojshme për përmirësimin e sistemit bënë, që të identifikoheshin gjatë kësaj periudhe pasaportat e tyre. Ky korrigjim ka filluar në korrik të vitit 2010 dhe pas kësaj date është vijuar me prodhimin e pasaportave me afatet e duhura”, shprehet Miranda Harizaj, drejtore e sistemeve informatike.

Por a janë të informuar qytetarët për këtë ndryshim? Për më tepër që mjaft familjarë udhëtojnë jashtë vendit së bashku me fëmijët në këtë periudhë për pushimet e verës?

“Me konstatimin e këtij problemi, le të themi me afrimin e periudhës së skadimit të atyre pasaportave, në sistemin TIMS të kontrollit të kufirit – ku vlerësohen dokumentet e identifikimit të të gjithë shtetasve që dalin apo hyjnë në Shqipëri, – është bërë zëvendësimi. Për menaxhimin e këtij problemi, qeveria pasi e vlerësoi me ekspertët përkatës, Ministria e Punëve të Brendshme propozoi shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së këtyre pasaportave për këta shtetas me 1 vit, në mënyrë që t’iu lihej kohë për njoftimin dhe për pajisjen me dokumentin e ri. Në këtë kuadër, ky akt kalimtar ligjor për shtyrjen e tyre me 1 vit ka hyrë në fuqi më 21 prill 2014, kohë gjatë së cilës Ministria e Punëve të Brendshme menjëherë ka realizuar planin dhe ka menaxhuar situatën për njoftimin e këtyre shtetasve që janë në list”, vijoi më tej Miranda Harizaj.

Sipas Harizajt, kërkesat e shtetasve për të ribërë pasaportën për fëmijët e tyre ka ndikuar që të ketë radhë në sportele, duke qenë se gjatë verës mjaft emigrantë aplikojnë për pasaportën biometrike kur kthehen në atdhe.

Top Channel