Gjendet avioni i zhdukur indonezian

16/08/2015 00:00

Avioni i kompanisë indoneziane “Trigana Air”, i zhdukur nga radarët vetëm 33 minuta pas ngritjes në ajër nga aeroporti i Sentanit në Jayapura, është rrëzuar në rajonin e Papuas.

Ministri i Transporteve sqaroi në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp se mjeti i tipit “Atr 42”,  është përplasur në një mal. Mbetjet e tij janë gjetur, por ende nuk dihet me siguri nëse ka ndonjë të mbijetuar mes 54 personave në bord, 44 nga të cilët pasagjerë të rritur, 5 anëtarë ekuipazhi dhe 5 fëmijë.

Trupin e avionit e gjetën fshatarët e zonës, të cilët kanë lajmëruar më pas autoritetet. Megjithatë, verifikimet në terren janë ndërprerë për shkak të rënies së errësirës.

Oksibil-i, për ku ishte drejtuar avioni i “Trigana Air”, është një rajon i largët e shkëmbor në jug të Jayapuras, ku lëvizja është tmerrësisht e vështirë. Agjencia për Kërkim dhe Shpëtim shkroi në “Twitter” se për shkak të rënies së natës, kërkimet do të vazhdojnë mëngjesin e së hënës.

Shkak i aksidentit mendohet të jenë bërë kushtet e këqija atmosferike në zonë.  “Trigana Air” ka pasur 14 incidente serioze, që prej nisjes së operacioneve në 1991-shin, periudhë përgjatë së cilës ka humbur të paktën 10 aeroplanë.

Kjo linjë ajrore është që prej 2007-s në listën e zezë të Bashkimit Europian, ku me përjashtim të 4 kompanive, bëjnë pjesë të gjitha linjat e tjera indoneziane. Historikun e aviacionit në përgjithësi, ky vend e ka plot njolla dhe vetëm vitin e kaluar regjistroi dy aksidente të mëdha: një avion i “Indonesia AirAsia” u rrëzua dhjetorin e kaluar në detin e Javës, gjatë një fluturimi ndërkombëtar nga Surabaya drejt Singaporit, duke vrarë të 192 personat në bord; ndërsa një muaj më parë, rënia e një avioni ushtarak transporti mbi një zonë rezidenciale të Medanit, në Sumatra, mori më shumë se 140 jetë njerëzish, përfshirë këtu edhe disa persona në tokë.

Top Channel