Në vitet 1920 jeta në Shkodër gëlonte nga njerëzit e arsimuar, por dhe tregtarët e pasur. Tef Pogu ishte një prej tyre. Emri i tij lidhet me shumë fabrika sapuni, duhani, vaji, por edhe me shumë vepra bamirësie, që shumë njerëzve u ndryshoi jetën.

Vajza e tij, Jolanda Pogu, e cila prej vitesh jeton jashtë, tregon  betejat e forta me të cilat u përball babai i saj, i cili jetoi në dy epoka krejt të kundërta me njëra-tjetrën.

“Kishte dy marka sapuni, “Venus” dhe “Pogu”. Të gjitha makineritë kishin ardhur nga Perëndimi”, shprehet vajza e Tef Pogut.

Tef Pogu dha financime të konsiderueshme për ndërtimin e shkollës fillore “Filip Shiroka”, “Motrat stigmatine” si dhe për ndërtimin e kishave dhe xhamive.

“Afër fabrikës ka pasur një mensë ku shkonin e hanin të varfrit dhe punëtorë të fabrikës”, shprehet Jolanda Pogu.

Por me ardhjen e sistemit komunist, kësaj shtrese të pasur të shoqërisë iu sekuestruan të gjitha pasurit, e kush nuk mund të paguante tatimet e larta u burgosën.

“Në shtëpinë që kishim ne bëhej gjyqi. Aty është dënuar babai me 3 vjet burg”, thotë vajza e Tef Pogut.

Por edhe në periudhën 3-vjeçare të burgut, Tef Pogu nuk hoqi dorë nga dëshira për të ndihmuar ata që nuk mundeshin.

“Skenën kur ai doli nga burgu nuk e harroj. Mbaj mend që mes dy policëve ishte i burgosuri. Më pas, në një qoshe doli një njeri që nuk jepte zë. Këta thoshin që duan Tef Pogun, por ai nuk arrinte të jepte zë”. Më vonë erdhi një kohë që nuk kishte sapun, nga ’53-’54. Një sapun shumë i mirë dilte nga rrëshira e pishës. Atëherë, duke qenë se ne afër kishim pisha u organizuam për të realizuar këtë. U cilësua si inovacion dhe ishte një sukses. Shkodra e dinte, por nuk përmendeshin emra, por më pas na sollën peshqesh nga ministria”, thotë Jolanda.

Në vitin 1959 ai ndahet nga jeta, pas një sëmundje të rëndë në stomak.

“Atë ditë erdhën shumë njerëz. Mes tyre ishte edhe një grua që nisi të qante. Ajo më shpjegoi për një nder që i kishte bërë Tef Pogu, i cili nuk kishte pranuar një unazë të dhënë nga kjo grua. Ai nuk e bënte nderin për të përfituar diçka në këmbim”, thotë Jolanda Pogu.

Dita e varrimit të tij nuk do të ishte aspak e zakonshme. Me qindra njerëz do të dilnin në rrugë për ta përcjellë njeriun që i zgjati dorën kur ata kërkuan ndihmë.

“Arkivoli i tij nuk është vënë për asnjë sekondë në karrocë, që nga shtëpia deri në varreza. Ai kaloi dorë më dorë nga njerëzit e pranishëm”, përfundon Jolanda, vajza e Tef Pogut.

Top Channel