Siri, mbi 80 të vdekur e rreth 200 të plagosur nga sulmet ajrore

16/08/2015 00:00

Të paktën 80 persona janë vrarë nga sulmet ajrore të forcave qeveritare në një treg në qytetin Douma, pranë Damaskut.

Lajmi është bërë i ditur nga aktivistët sirianë, që konfirmuan edhe plagosjen e rreth 200 personave të tjerë.

Gjatë muajve të fundit, forcat qeveritare kanë kryer sulme të vazhdueshme ajrore në këtë qytet, i cili kontrollohet nga rebelët. Me qindra civilë kanë mbetur të vdekur së bashku me shumë luftëtarë të opozitës siriane gjatë muajve të fundit në këtë rajon.

Imazhet e publikuara nga aktivistët tregojnë një treg të shkatërruar tërësisht, automjete në flakë, si dhe dëmtime të rënda kanë pësuar edhe ndërtesat përreth kësaj zone. Gjithashtu thuhet se grupet e shpëtimit janë duke gërmuar nën rrënoja në kërkim të personave të mbijetuar. 

Një dëshmitar e ka përshkruar situatën për agjencinë e lajmeve “Associated Press” si katastrofike, duke shtuar se qendrat shëndetësore në zonë ishin të mbushura me të plagosur.

Top Channel