Motrat Kajtazi, gjykata: Orialda, në arrest me burg. Klevisa, me detyrim paraqitjeje

17/08/2015 00:00

Motra më e madhe përfundoi në burg, ndërsa minorenia me detyrim paraqitjeje. Ky është vendimi i dhënë nga Gjykata e Durrësit gjatë vlerësimit të masës së arrestit për dy motrat Kajtazi, Orialda dhe Klevisa.

Në sallën e gjyqit, Orialda deklaroi se ilaçet e gjumit në ushqim ia hodhën prondërve “jo për t’i vrarë, po për t’i qetësuar për shkak të keqtrajtimit fizik e psikologjik që familjarët ushtronin gjatë 6 muajve të fundit” ndaj saj.

Sipas Orialdës, plani për ikjen është organizuar shpejt natën e 15 korrikut, pas ardhjes së një inspektori policie në shtëpi, i cili është interesuar për rrethanat e helmimit të prindërve dhe motrës së madhe. Frika mendohet t’i ketë shtyrë drejt largimit nga shtëpia, po përmes kryerjes së veprimeve kriminale. Orialda theksoi se në Vlorë nuk kanë bërë një jetë të shfrenuar, po një jetë normale, ndërsa e justifikoi mungesën e denoncimit ndaj dhunës së ushtruar nga prindërit e motra e madhe me mungesën e besimit se policia do t’i merrte seriozisht.

E ndërsa motrat nuk kanë folur për pendim, ka qenë avokati mbrojtës i caktuar kryesisht nga Gjykata që deklaroi se vajzat janë thellësisht të penduara. Avokati kërkoi një masë më të butë për Orialdën, duke marrë parasysh moshën e saj, por përfaqësuesja e organit të akuzës, Teuta Rrudha, duke vlerësuar personalitetin dhe rrezikshmërinë e saj tha se “arrest në burg” është masa më e përshtatshme për të, ndërsa kërkoi “detyrim paraqitjeje” për motrën e vogël në Policinë Gjyqësore, javën e parë e të tretë të muajit.

Në sallën e gjyqit, ku nuk kanë munguar lotët e nënës së vajzave, Anilës, dhe Klevisës pas hekurave, kanë qenë të pranishëm prindërit, motra e madhe dhe tezja e vajzave.

Motrat kanë qëndruar me duar të shtrënguara fort me njëra-tjetrën dhe pas vendimit gjyqësor të dhënë nga gjyqtari Rexhep Bekteshi janë ndarë me një përqafim.

Motrat u larguan nga banesa e tyre një muaj më parë, pasi helmuan pjesën tjetër të familjes, vodhën kursimet e familjes, rreth 250 mijë lekë, e i vunë zjarrin shtëpisë. Gjetja e tyre më 14 gusht u bë e mundur nga telefonat e përdorur, ndërsa pak ditë para kapjes, vajzat hodhën në rrjetin YouTube disa video ku tregonin mbi arratinë dhe shprehnin mllefin ndaj familjes së tyre. 

Vajzat që akuzohen për “vjedhje në bashkëpunim” dhe “shkatërrim me zjarr të pronës” rrezikojnë të dënohen nga 6 muaj deri në 5 vite burg, ndërsa mosha dhe falja nga ana e familjes pritet të lehtësojë gjendjen e tyre.

Top Channel