SHBA, Trump: Emigrantët e paligjshëm të largohen menjëherë

17/08/2015 00:00

“Emigrantët pa dokumente të rregullta qëndrimi duhet të largohen nga Amerika”, thotë Donald Trump, pretendenti që kryeson garën për nominimin republikan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Në një intervistë për NBC, manjati i ndërtimeve e bëri të qartë se po të zgjidhet president, do ta përmbysë urdhrin ekzekutiv të Barak Obamës për emigracionin.

“Nuk do t’i ndajmë familjet dhe do të bashkëpunojmë me ta, por ama, duhet të largohen. Duhet të ikin prej këtej. Tani gjërat duhet të jenë të qarta: o kemi një komb, o nuk e kemi”, tha Trump.
 
Në Shtetet e Bashkuara besohet të jenë rreth 11 milionë emigrantë të paligjshëm, ndaj të cilëve Trump është duke ndjekur një linjë mjaft të ashpër. Më herët, ai ka akuzuar Meksikën për hyrjen e “kriminelëve” dhe “përdhunuesve” në Amerikë dhe premtoi ngritjen e një muri rrethues të padepërtueshëm përgjatë kufirit mes të dy vendeve, të cilin, siç thotë, nuk do ta kapërcejë askush.

Në pohimet e tij për NBC, miliarderi shtoi gjithashtu se po të vihet në krye të Shtëpisë së Bardhë do t’ia marrë pasuritë Shtetit Islamik në Irak, duke shtënë në dorë zonat naftëmbajtëse që ekstremistët kanë pushtuar. Ai premtoi t’i ktheje diçka Irakut, por pjesën më të madhe të këtyre fondeve do t’ja japë familjeve të ushtarëve amerikanë të vrarë dhe të plagosur gjatë luftës 8-vjeçare në atë vend.

Trump, i njohur për sulmet pa doreza ndaj kundërshtarëve, e quajti Sekretarin e Shtetit John Kerry një “të paaftë” që negocioi marrëveshjen atomike me Iranin, për të cilin thotë se do të kthehet në një fuqi bërthamore. Republikani që po e financon vetë fushatën e tij tha të shtunën përpara gazetarëve se për këtë qëllim është i gatshëm të shpenzojë 1 miliard dollarë për fushatën e tij, në një kohë kur shumica e kandidatëve të tjerë mbështeten më së shumti tek përpjekjet për grumbullim fondesh.

Top Channel